Bilanci i pagesave është një pasqyrë e detajuar statistikore që përmbledh transaksionet ekonomike të kryera ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve gjatë një periudhe të caktuar kohore. Bilanci i Pagesave përmban: llogarinë korrente (afatshkurtër), llogarinë e kapitalit, mospërputhja statistikore dhe rezervat zyrtare. Në llogarinë korrente regjistrohen hyrjet dhe daljet e parasë, kryesisht për një periudhë të shkurtër. Nga llogaritjet e Bankës së Shqipërisë pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 146.4 milionë eurosh në tremujorin e tretë të vitit 2018, duke u zgjeruar me rreth 2.6% në terma vjetorë. Kjo do të thotë se daljet janë më të mëdha se hyrjet. Deficiti u vlerësua në nivelin 4.5% ndaj PBB-së nominale, ose rreth 0.4 pikë përqindje më i ulët se në të njëjtin tremujor të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, raporti është 0.7 pikë përqindje më i ulët.

Në terma kontributesh, zgjerimi në terma vjetorë është përcaktuar gjerësisht nga dinamika në nënllogarinë e të ardhurave parësore. Teprica përkatëse ka shënuar flukse neto dalëse në masën 18.4 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë shënonte një tepricë neto hyrëse prej 18.8 milionë eurosh. Përcaktues në këtë drejtim ka qenë zgjerimi i të ardhurave dalëse nga investimet (kryesisht të lidhura me investimet direkte) me rreth 26.2 milionë euro në terma vjetorë.

Në rastin e shkëmbimeve tregtare është vënë re një ngushtim i deficitit të përgjithshëm me rreth 3.5% në terma vjetorë. Përcaktues në këtë drejtim ka qenë ngushtimi i deficitit tregtar në mallra me rreth 1.8%. Më konkretisht, raportohet një rritje e shpejtë e eksportit të mallrave me rreth 27.9% në terma vjetorë. Nga ana tjetër, rritja e importeve ka rezultuar mjaft e ngadaltë (vetëm 4.0% në terma vjetorë).

Nënllogaria e shërbimeve raporton për një ngushtim të tepricës pozitive me rreth 0.1 % në terma vjetorë. Nga njëra anë, rritja e eksporteve ka rezultuar mjaft e lartë (8.4%), përcaktuar nga zgjerimi i shpejtë i shërbimeve të udhëtimit (16.2% rritje vjetore). Nga ana tjetër, edhe rritja e importeve ka rezultuar mjaft e lartë (rreth 14.3% në terma vjetorë) dhe përcaktues në dinamikën e tepricës së llogarisë. Edhe në rastin e importeve, ndikimi kryesor lidhet me shërbimet e udhëtimit (rritje vjetore 19.4%).

Bilanci neto i llogarisë së të ardhurave parësore rezultoi negativ, sikurse u përmend edhe më parë. Deficiti i regjistruar u vlerësua në rreth 0.6% ndaj PBB-së nominale, i përcaktuar kryesisht nga llogaria e të ardhurave nga investimet. Nga ana tjetër, ngushtimi i tepricës përkatëse të llogarisë në terma vjetorë është përcaktuar nga zgjerimi i të ardhurave dalëse të investimeve, çka do të thotë se janë ulur investimet dhe është larguar kapitali vendas jashtë Shqipërisë.

Suficiti i llogarisë së të ardhurave dytësore (remitancat dhe të ardhura të tjera dytësore) është zgjeruar me rreth 9.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Suficiti përkatës shënoi 232.8 milionë euro, ekuivalent me 7.2% të PBB-së nominale. Rritja e remitancave neto shënoi 2.6% në terma vjetorë, normë kjo më e ngadaltë, krahasuar me gjysmën e parë të vitit (rritja vjetore shënonte 10.9%). Ndikimet kryesore në zgjerimin e tepricës janë përcaktuar kryesisht nga të ardhurat e tjera personale me ndikimet edhe nga të ardhurat hyrëse të “qeverisë së përgjithshme”, ashtu siç pritej investimet publike kanë qenë të mëdha në këtë periudhë, ndryshe nga investimet private që janë dekurajuar nga politikat që janë marrë.

Të ardhurat neto kumulative nga llogaria e shërbimeve, e të ardhurave parësore dhe atyre dytësore, financuan rreth 80.2% të deficitit tregtar të mallrave. Ky raport është ngushtuar me 0.8 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017, por është zgjeruar me rreth dhe 6.0 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here