Adrian Civici, ish anëtar i këshillit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, ka folur mbi një tematikë shumë të përfolur së fundmi, sulmet ndaj sistemit bankar nga politika. Këto lloj sulmesh ai i cilëson si tipike të politikës shqiptare, që kalon shumë përtej kompetencave dhe detyrave të saj dhe pse kujdesi për t’i trajtuar ato duhet të jetë maksimal.

Sistemi bankar është përgjegjës për kursimet, depozitat dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë ekonomike të vendit. Ai tha: “Unë mendoj, duke iu referuar sjelljes politike në vende të zhvilluara, se politika duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj sistemit bankar. Duhet mbikëqyrur që të jetë i rregullt dhe transparent, por, ka shumë institucione dhe instrumente te tjera që verifikojnë qëndrueshmërinë dhe transparencën e një banke. Sulmet politike dëmtojnë reputacionin e një banke dhe qëndrueshmërinë e bankave sepse ky i fundit varet nga besimi që kanë njerëzit tek ajo. Sistemi bankar në Shqipëri është sistemi më i zhvilluar në ekonominë shqiptare. Këto sulme janë të dëmshme sepse problemet duhen trajtuar institucionalisht, pa u bërë sulme publike.”

Adrian Civici ka thënë se bërja pjesë e bordit të një banke të një personi që ka lidhje direkte ose indirekte me politikën nuk është shkelje e ligjit. Nëse shihet si shqetësuese dhe dëmtuese atëherë mund të zgjidhet shumë lehtë me një nen që të përcaktojmë se kush duhet të jetë pjesë dhe kush jo. Nëse ka fakte për shkelje, politika është përgjegjëse që t’i evidentojë ato, por, institucionalisht.

“Banka e Shqipërisë në mënyrë ligjore dhe të detajuar ka listuar faktet për regjistrimin, anëtarët e bordit, origjinën e kapitalit dhe këto fakte kanë qenë të qarta. Nëse këto janë në rregull, duhet të kuptojmë që banka është një biznes, që bën biznes me kapitalin. Nëse hapat e sipërpërmendura janë transparente atëherë politika shqiptare duhet të ketë kufij dhe të mos agravojë situatën duke e bërë publike”, ka thënë ai.

Përsa i përket akuzave të regjistrimit offshore, qëndrimi i tij ka qenë i tillë: “ SHBA ka një ligj që kudo që të regjistrohet një kompani ka kontroll për të mos lejuar shmangien e taksave. Si të jetë një kompani në Amerikë, si të jetë një kompani me kapital amerikan e regjistruar në një vend tjetër, kontrollohet njësoj që të mos ketë evazion fiskal ose pastrim parash. Pra, përveç institucioneve shqiptare që bëjnë kontroll të detajuar, kontrollojnë dhe institucionet amerikane.”

Mendimin e tij ai e mbylli duke thënë se ne dyshojmë për çdo gjë. Edhe kur një bankë blihet nga një tjetër, ose kur një bankë tërhiqet nga tregu. Nuk duhet që gjithmonë të shohim një mashtrim. Në rastin tonë kjo ndodh sepse na mungon kultura financiare që të kuptojmë si funksionon tregu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here