Akuzat ndaj Bankës Amerikane të Investimeve kanë shkaktuar një debat të fortë në vend. Kështu pas akuzave të shumta të drejtuara kësaj banke dhe aksionerit kryesor të bankës, NCH Capital për origjinë të paqartë, lidhje me kapitalin rus, pastrim parash, ulje kapitali etj., ka reaguar edhe Andi Ballta, drejtori i kësaj banke.

Ballta ka pohuar se “ABI Bank është bërë objekt i lajmeve të rreme të motivuara nga qëllime politike, konkurrencës së pandershme apo gjobaxhinjve të rëndomte mediatikë”.

Lidhur me publikimet në media, se ABi Bank është offshore dhe nuk ka lidhje me investimet amerikane, Ballta sqaron se “Banka Amerikane e Investimeve është 100% e zotëruar nga fonde apo individë amerikanë. Për të shmangur çdo keqinterpretim: Ne nuk jemi bankë në Amerikë por bankë e investitorëve të mirënjohur amerikanë në Shqipëri. NCH Capital është me qendër në Nju Jork dhe ka pothuaj 30 vjet eksperiencë investimi global”.

Ballta shton se Regjistrimi offshore nuk ka të bëjë me vendodhjen e investitorëve, pasi një investitor amerikan mund të regjistrohet në një vend ku sistemi i taksave është më i favorshëm. Kjo mund të jetë offshore (Cayman) apo në Holandë, Irlandë, ose në Nebraska.

Po ashtu ai shprehet se shumë nga kompanitë apo institucionet financiare më të njohura regjistrohen në vende ku taksat janë më të ulëta. Nuk ka asgjë ilegale apo të parregullt si në legjislacionin Shqiptar apo dhe atë ndërkombëtar me regjistrimin offshore të investitorëve në momentin kur investitorët janë të deklaruar. E gjithë lista e investitorëve të ABI Bank është e deklaruar në rregullatorët shqiptarë sipas të gjitha rregullave, në kohë të ndryshme dhe sa herë është kërkuar.

Ballta pohon se NCH Capital nuk ka patur kurrë asnjë pjesëmarrje kapitali rus, apo të ndonjë kombësie tjetër në strukturën e aksionerëve të ABI Bank. NCH thjesht ka investuar kapital tërësisht Amerikan në Rusi dhe në Evropën Lindore. Gjithashtu të gjithë aksionerët e ABI Bank janë të listuar publikisht dhe të aprovuar sipas të gjitha rregullave nga autoritetet rregullatore shqiptare që në vitin 2010.

Ndërsa në lidhje me çështjen e debatuar gjerësisht në media, për anëtarësinë e bordit të ABI, apo më gjerë të zonjës Rama (bashkëshortes të kryeministrit Rama) Ballta tha se Linda Rama nuk ka qenë asnjëherë aksioneve, por vetëm anëtare bordi për tre vjet dhe tashmë është larguar nga Bordi.

Nga ana tjetër, në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Banka e Shqipërisë, e cila ka siguruar qytetarët se “Abi Bank”, e cila ushtron aktivitetin në Shqipëri, është hetuar gjerësisht dhe rezulton në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Në një reagim zyrtar për mediat, Banka e Shqipërisë ka sqaruar se nuk ka shkelje të kuadrit ligjor shqiptar për subjektin ABI Bank, ndërkohë që të gjithë aksionerët e saj janë identifikuar, madje edhe deri në përfituesin e fundit. ABI Bank sipas Bankës së Shqipërisë ka aksioner të vetëm shoqërinë “Tranzit shpk”, kompani e cila kontrollohet nga dy banka të huaja prestigjioze.

Informacionet mbi aksionarët e shoqërive janë informacione të publikuara dhe gjenerohen lehtësisht nga regjistrat publikë tregtarë, megjithatë gjejmë me vend të sqarojmë se: aksionar i drejtpërdrejtë dhe i vetëm, duke zotëruar 100 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Investimeve, është shoqëria Tranzit  shpk,  e regjistruar në regjistrin tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Shqipëri që në vitin 2009.Shoqëria Tranzit shpk kontrollohet nga NCH Balkan Fund L.P. dhe New Century Holdings XI, L.P.. Këto fonde financohen nga investitorë të cilët janë universitete të mirënjohura, fonde pensionesh shtetërore dhe  korporata e institucione të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa Perëndimore. Të dyja këto  fonde menaxhohen  nga NCH Capital Inc., një shoqëri konsulente investimesh e regjistruar në SEC, SHBA,  me  përvojë të gjatë në sektorin financiar dhe prej më shumë se 20 vitesh pjesë e  sektorit bankar në Evropën Qendrore dhe Juglindore përmes kapitalit bankar  në Rumani, Letoni dhe Moldavi”, – thekson Banka e Shqipërisë.

Po ashtu, për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili u përplas në seancën plenare të enjtes me paraardhësin e tij Sali Berisha, lidhur me akuzat e opozitës se bashkëshortja e tij, Linda Rama, ka qenë aksionere në “ABI Bank”. Rama u shpreh se këto janë gënjeshtra, dhe se ajo ka qenë thjeshtë një anëtare bordi..

“Gënjen ky i përdalë apo unë për aksionet e gruas sime në një bankë amerikane, ku ajo nuk ka qenë kurrë më shumë sesa një anëtare bordi, si ekonomiste që ka të drejtën të ushtrojë profesionin e vet dhe kurrsesi si aksionere, por që ka fatin e keq ama që të jetë gruaja ime dhe si e tillë të jetë preja e gjahut të këtij të fantaksuri që ka shkatërruar në vite çdo kod, çdo normë, çdo rregull, çdo parin elementar të mësuar në shtëpinë e shqiptarit, qysh se u ndërtua e para shpi me shqiptarë”, – tha Rama.

Ndërkohë, një reagim të drejtpërdrejtë ka pasur edhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i cili u shpreh se kjo sjellje e politikës është një fyrje për investitorët amerikanë dhe një qëndrim antiamerikan.

“Kur figurat e ndryshme politike përpiqen të fyejnë investitorin më të madh amerikan në Shqipëri, domethënë fondin amerikan NCH nga Nju Jork, apo projektet e tyre si Banka Amerikane e Investimeve, atëherë perceptohet si sjellje e çuditshme dhe antiamerikane. Investitorët e mundshëm amerikanë i shohin këto sulme politike ndaj një banke me dyshim, duke pyetur veten pse investitorët e zakonshëm amerikanë do të rrezikonin të investonin në një treg të vogël si Shqipëria, kur edhe ata investitorë amerikanë që promovohen drejtpërdrejt nga Qeveria e SHBA janë subjekt i sulmeve të tilla ekstreme politike.” tha Crawford.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here