Një ndër faktet që dëshmon më së miri ngulitjen e një mentaliteti socialist në opinionin publik është fakti që qeveritë e njëpasnjëshme, të cilido krahu, krekosen e lëvdohen para votuesit me shpenzimet buxhetore të bëra, dhe kjo gjë merret e mirëqënë si diçka e dobishme dhe e vlefshme për ekonominë e nuk sfidohet nga kurrkush. Pra ekziston tashmë një bindje, e pasfiduar dhe e palëkundur, se burimi kryesor i begatisë dhe rritjes së mirëqënies shtetërore është në mënyrë të pashmangshme shteti me investimet e tij. Edhe pse sivjet do mbushen tre dekada nga rënia e murit të Berlinit, ende shoqëria jonë nuk e ka kuptuar se motori i vërtetë i zhvillimit ekonomik është sipërmarrja private në kushtet e ekonomisë së tregut, të një konkurrence të lirë dhe sundimit të ligjit që garanton kontratën dhe pronën private. Nëse ka një rol për shtetin, në këtë sistemin liberal demokratik që po rropatemi duke u përpjekur që ta ndërtojmë, ai është që të mos fusi hundët në ekonomi dhe që të përqëndrohet tek ato detyra parësore dhe funksione ekskluzive për ti bërë ato sa më mirë.

Kur dëgjohet retorika e pushtetarëve për investimin këtu e investimin atje, të krijohet përshtypja se po bëhët fjalë për ndonjë bamirës zemërgjerë që po na nderon e respekton me bujarinë e tij. Harrohet që në rastin e shpenzimeve buxhetore bëhet fjalë për paratë tona, pra të thesit tonë të përbashkët, dhe kuptohet sa herë futet dora aty për të bërë ndonjë shpenzim, në rrugë e sipër derdhet një pjesë e majme e sasive të parave tona të përbashkëta për t’u futur në xhepat e këtyre “pushtetarëve bujarë”. Prandaj përpara se të fërkojnë duart e shprehin mirënjohje për investime në infrastrukturë nga qeveria, qytetari i thjeshtë do të duhej që të reflektonte se ku do i merrte këto para qeveria dhe të vriste mendje a është i nevojshëm që investimi të bëhej me fonde publike nëse për të njëjtin projekt do të kishte interes e leverdi sipërmarrja private. Kur flitet për financimin e këtyre shpenzimet burimet kryesore janë tatimet, inflacioni e borxhi. Buxheti i shtetit siguron edhe të ardhura nga ndihma e donatorë të huaj si dhe të ardhura jotatimore që vijnë nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve publike, nga renta e pronës shtetërore apo nga shërbimet administrative, por këto zënë një peshë të papërfillshme në buxhet. Në kushtet kur shpenzimet, për hir të interesit elektoral apo grykësisë, shtohen më shumë se sa rritet ekonomia, pra se sa mund të përballohet nga taksat, atëhere kuptohet që qeveria preferon të zhytet në borxhe.

Thellimi i deficitit publik dhe borxhit kërkon një këmbanë alarmi më vete dhe në përgjithësi e zë njëfarë vëmendje në debatin politik. Ajo që neglizohet pothuaj tërësisht është vëmendja për rritjen e shpenzimeve buxhetore. Në kulturën tonë ekonomike e në debatin tonë publik duhet ngritur zëri jo vetëm për të denoncuar dëmin dhe rrezikun e borxhit të madh publik por edhe për të demistifikuar njëherë e mirë idenë se shpenzimet që bën qeveria janë të dobishme. E vërteta është se shpenzimet nga buxheti i shtetit në më të shumtën dërrmuese të rasteve kanë një ndikim të dëmshëm në aktivitetin ekonomik të një vendi pasi kanë tendencën që të deformojnë ekonominë e tregut dhe konkurrencën e lirë, të dëmtojnë rëndë tregun e punës, të ndryshojnë prirjet e kursimit dhe të investimeve si dhe dhe të nxisin keq-alokimin e burimeve.

Ka arsye të shumta përse shpenzimet buxhetore dëmtojnë shëndetin e një ekonomie të një vendit. Arsyeja e parë në nivel makroekonomik ka të bëj me largimin e burimeve nga sektori produktiv dhe kanalizimi drejt një sektori jo-produktiv qeveritar. Më pak para në përdorim të sektorit privat që është motori i rritjes ekonomike dhe më shumë para në dorë të qeveritarëve që më shumë i përdorin kryesisht për qëllime elektorale apo përfitime personale. Me pak fjalë do të thotë se një lek që shpenzohet nga qeveria është një lek që nuk është më në dispozicion për sektorin privat të ekonomisë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme që shpesh neglizhohet ose nuk merret në konsideratë sa duhet. Faktikisht kur qeveria merr hua për të financuar shpenzimet e saj, sikurse po ndodh tani me projektet e financimit të infrastrutkutrë, ajo konkurron me huamarrës të tjerë për fondet burime e pakta e të kufiuara që ka një ekonomi në dispozicion. Huamarrës të tjerë përfundojnë me më pak e për rrjedhojë sipërmarrësit do të duhet të paguajnë norma më të larta interesi dhe çmime më të larta të inputeve për tu përballur me konkurrencë që iu vjen nga qeveria. Përpos kësaj do të ketë më pak nxitje për ata që të investojnë sepse do të kenë më pak fonde dhe burime të disponueshme. Pra do kenë më pak mundësi për të zhvilluar produkte inovative, për të zgjeruar biznesin, për të punësuar më shumë punëtor apo për të hapur degë e kompani të reja.

Përpos kësaj një tjetër dëm makroekonomik ka të bëj me burimin e financimit të këtyre harxhimeve të qeverisë, qeveria diku duhet ti marrë këto para që harxhon. Burimet kryesore të shpenzimeve qeveritare janë natyrshëm taksat, huamarrja apo prerja e parave dhe secila prej këtyre alternativave të përdorura për të financuar shpenzimet qeveritare kanë pasoja negative.
Kështu për shembull rritja e taksave në vetëvete dëmton stimujt që kanë qytetarët për tu angazhuar sipërmarrje private, kursim dhe investim.

Kuptohet që ka disa shpenzimet buxhetore që janë të dobishme dhe që kanë një efekt
të drejtpërdrejtë pozitiv në zhvillimin e ekonomisë së tregut. Për shembull shtimi i shpenzimeve publike në sitemin e drejtësisë, edhe pse largon para nga sektori produktiv privat, prapëseprapë i kompenson dhe i tejkalon me efektin pozitiv të përmirësimit të sundimit të ligjit. Kjo pasi zbatimi i ligjit, respektimi i kontratës dhe mbrojtja e pronës private janë parakushte për rritjen ekonomike. E njëjta gjë mund të thuhet nëse investohet në përmirësimin e modernizimin e administratës publike duke rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe integritetin e saj në dhënien e shërbimeve të domosdoshme për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë këto fusha ku shpenzimet buxhetore janë të justifikueshme e të dëshirueshme numërohen me gishtat e dorës pasi në shumicën dërrmuese të rasteve ato ngelen të dëmshme.

Kështu për shembull një ndër kostot më të mëdha të shpenzimeve buxhetore është ajo ajo e deformimit të tregut sepse fondet e hedhura ta zëmë në infrastrukturë bën që më shumë të zhvillohet sektori i ndërtimit në vend që të investoheshin para në sektorin e prodhimit apo në bujqësi e turizëm që janë më të leverdisshëm për ekonominë në tërësi. Për më tepër, duhet patur parasysh se shteti duke qenë konsumatori kryesor dominues në ekonomi i detyron ofruesit e shërbimeve dhe produkteve që t’i përshtaten. Mirëpo nëse për të bindur një konsumator privat, biznesit i duhet që të uli çmimin e rrisi cilësinë duke konkurruar me aktorë të tjerë, për të fituar një tender apo kontratë qeveritare, biznesit i duhet të korruptojë ose të fusi hundët në politikë e të sigurojë favore partiake.

Përpos këtyre, një tjetër pasojë e shpenzimeve buxhetore është kostoja e inefikasitetit në ekonomi pasi edhe kur vjen puna për të ofruar shërbime publike, shteti në më të shumtën e rasteve i ofron ato në mënyrë jo-efikase e duke shpërdoruar burimet. Po ashtu duhet patur parasysh se shtimi i ndërhyrjes së qeverisë nxit sjellje ekonomike të dëmshme për shëndetin e ekonomisë. Kështu për shembull shtimi i subvencioneve qeveritare për kujdesin shëndetësor, pensionimin, arsimin dhe strehimi ulin stimulin e qytetarëve për të kursyer për të ardhmen.

Kjo listë argumentesh mund të zgjatet edhe më tej, duke rrezikuar që ta bëj këtë shkrim një leksion të mërzitshëm ekonomie. Mirëpo me rëndësi është të theksohet se për ekonominë tonë borxhi publik është një rrezik i madh, mirëpo shpenzimet buxhetore që vijnë duke u rritur janë një rrezik akoma më i madh. Si zgjidhje për këtë problem më së miri shkojnë për shtat fjalët e Milton Friedman i cili thoshte se “Nevoja jonë themelore afat-gjate është që të ndalojmë rritjen shpërthyese të shpenzimet qeveritare. Unë jam i bindur se e vetmja mënyrë efektive për ta bërë këtë është ulja e taksave- në çdo kohë për çfarëdo justifikimi e në çfarëdo mënyre. Arsyeja është se qeveria do të shpenzojë çfarëdo që mblidhet nga sistemi i taksave e madje edhe më shume se aq”. Përveç uljes së taksave një tjetër politikë shumë efikase për të ulur borxhin publik është padyshim vendosja e një tavani të shpenzimeve buxhetore dhe janë tashmë 23 vende që në një mënyrë a një tjetër kanë vendosur kufizime që pengojnë shtimin galopant të shpenzimeve qeveritare. Shembujt e suksesit të zvogëlimit të dëmit të shpenzimeve qeveritare që vijnë nga Zvicra, Kanadaja, Letonia, Lituania, Zelanda e Re, Irlanda, Sllovakia janë me të vërtetë modele që duhen marrë në konsideratë e huazohen në Shqipëri për ti rikthyer ekonomisë sonë vitalitetin dhe konkurrencën që ia ka dëmtuar shteti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here