Ekziston një konsensus në ekonomi se investimi privat dhe ai publik cojnë në rritje ekonomike afatgjatë. Por duke u bazuar në literaturën akademike efekti i investimeve shtetërore në rritje ekonomike duket jo i qartë. Në studimin e publikuar nga Khan i titulluar “Impakti i investimeve private në rritjen ekonomike” vihet re se impakti i investimit privat në rritjen ekonomike afatgjatë është më i rëndësishëm sesa investimi publik. Për më tepër ky studim shpjegon se në fakt investimet publike megjithëse me efekt pozitiv, nuk kanë peshë domethënëse në rritjen ekonomike (statistikisht jo-domethënës).  Në përfundim të këtij studimi thuhet se rrugë më të mira, telekomunikacion më i mirë, shkolla më mira etj. bëjnë që produktiviteti i kapitalit privat të jetë më i lartë. Pra efekti i investimeve publike në rritje ekonomike është indirekt. E thënë më thjeshtë Shqipërisë i duhet sa më shumë investim privat dhe krijim i kapitalit privat për të arritur rritje ekonomike dhe investimet publike duhet të jenë komplimentare (mbështetëse) ndaj investimeve private. Këtu më pas lind dhe i gjithë diskutimi i bërë i rilindjes urbane nëse këto investime publike ishin ose jo pjesë mbështetëse ndaj investimeve publike apo u bënë pavarsisht atyre. Një debat që personalisht e kam kundërshtuar gjithnjë si një politikë e panevojshme kejnsianiste që nuk do të përmisonte asgjë në ekonominë tonë.

 

Investimet Totale (private hde Publike si % e PBB-se) Shqiperi Maqedoni

Për më tepër kjo politikë duket se ka dekurajuar investimet private në vend. Duke analizuar të dhënat e FMN-së vihet re se nga viti 2014 Shqipëria po përjeton përkeqësim të investimeve totale në ekonomi si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kështu teksa investimet totale bruto në ekonomi ishin 26.7% e PBB-së në vitin 2014, FMN parashikon që ato të ulen në 23.9% të PBB-së në vitin 2020. Po ashtu investimet private në Shqipëri kanë rënë nga 21.7% e PBB-së në 18.3% e PBB-së ( e parashikuar për vitin 2020). Po të krahasohet me rastin e Maqedonisë vihet re se Shqipëria ka një trajektore krejt të kundërt nga shteti fqinj. Investimet totale në Maqedoni megjithëse në nivele të afërta me Shqipërinë në vitin 2014 ka rritur të krijojë institucione probiznes duke inkurajuar gjithnjë e më shumë investimet private në ekonomi. Në vitin 2020 ata parishikojnë të kenë investime totale në ekonomi që arrijnë 32.8% e PBB-së ose 14.5% më e lartë se rasti i Shqipërisë.

Ndryshimi vjetor i nivelit te investime Shqiperi/Maqedoni

Po ashtu kontributi kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë vjen nga konsumi e jo nga investimet. Gjatë viteve 2014 deri në 2020 në  Shqipëri investimet kanë patur rritje thuajse 0% nga viti në vit në ekonominë Shqiptare ndërkohë që në ekonominë Maqedonase vihet re rritje deri në  10-15% nga vitet 2014 deri në 2017. Këto të dhëna tregojnë shumë për të ardhmen e ekonomisë sonë dhe për cilësinë e rritjes ekonomike. Kreditimi si përqindje e PBB-së po ashtu ka mbetur thuajse e pandryshuar në tetë vitet e fundit në 38% e PBB-së duke treguar se kërkesa e investitorëve privat mbetet e pandryshuar dhe anemike. Nga ana tjetër investimet e mëdha publike nëpërmjet PPP-ve nuk është gjë tjetër vecëse një sinjal i parashikueshëm i rritjes së mëtejshme të taksave në të ardhmen e presion i  mëtejshëm për të frenuar investimet private…

Investimet Private ne renie nga viti ne vit ne Shqiperi

 

Shumë ekonomistë janë optimist se duke qënë se Shqipëria ka hyrë në ekonomi tregu me nivele të ulta të të ardhurave për frymë atëherë rritja ekonomike do të vazhdojë dhe në të ardhmen. Por rritja e  lartë ekonomike deri në vitet 2010 duke reflektuar atë që ekonomistët neo-klasikë e njohin si efekti i konvergjencës duket se nuk mundet të përsëritet pa ndryshuar politikat amkroekonomike të Shqiëprisë.

Ideja neoklasike që ka bërë gjithë politikanët tanë të qetë ka qënë se nëse dy shtete kanë të njëjtat parametra makroekonomik por ndryshojnë në nivelin e stokut të kapitalit atëherë shteti me më pak kapital do të ketë rritje ekonomike më të lartë duke qënë se produktiviteti marxhinal i kapitalit do të jetë më i lartë. Me këtë qasje teorike në mendje ne mund të shpjegojmë rritjen ekonomike të lartë të Shqipërisë gjatë dy dekadave të para. Por literatura e europës lindore thotë se kushtet fillestare nga niset ekonomia kanë gjithnjë e më pak rëndësi për të shpjeguar rritjen ekonomike afatgjatë. Pra fati i rritjes ekonomike të Shqipërisë nuk është i parashkruar që do të jetë pozitiv në të ardhmen vetëm se ne kemi qënë vendi më i varfër i Europës në vitin 1990-të. Po ashtu dhe ekonomisti Barro thekson se rritja ekonomike nuk varet nga kushtet fillestare por kryesisht nga stoku i kapitalit njerëzor ( pra qytetar shqiptar të kualifikuar). Të dhënat tregojnë që vetëm 21% e të rinjve shqiptar kanë arsim të lartë ndërkohë që mesatarja e BE-së është 40%. Kjo grup moshë konsiderohet si më aktivja në tregun e punës dhe arsimimi i tij lidhet edhe me perspektiven e zhvillimit afatgjatë ekonomik të një vendi. Për më tepër shqetësuese është fakti se 70% e këtij kapitali njerëzor kërkon të largohet nga shqipëria dhe të dhënat vlerësojnë se mbi 300.000 tërinj janë parashikuar të jenë larguar gjatë 10 viteve të fundit nga vendi.

Rritja e popullsise ne Shqiperi

Si përmbledhje rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë e ulët në vitet që vjen për shkak të faktit se investimet private janë në rënie nga viti 2014 dhe se kapitali njerëzor është gjithashtu në tkurrje dhe i pakët. Këto ritme të ulta të rritjes ekonomike do të përkthehen në më pak të ardhura në buxhetin e shtetit që do të thotë se borxhi pubik dhe skema e sigurimeve shoqërore do rrisin presionin e mëtjeshëm ndaj ekonomisë sonë duke kërkuar rritje taksash e për rrjedhojë ulje të mëtejshme të investimeve private. Në rast se taksat e larta kompensohen me reforma e modernizim institucional atëherë sfida nuk është aq e madhe. Por reforma ekonomike në kushte të vështira ekonomike janë të vështira. Ndaj ekonomistët rekomandojnë që catia të rregullohet kur ka diell. E dielli jonë duket se ka ikur që në vitin 2011 dhe që atëherë askush nuk është marrë më me ekonominë…

Rritja e PBB-se dhe krahasimi me vitet para 2011

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here