Ndikuar nga zgjedhjet e tetorit 2018 dhe ngadalësimit ekonomik botëror, ekonomia në Argjentinë filloi të tkurrej duke paralajmëruar një krizë të thellë ekonomike. Monedha Pesos filloi të zhvlerësohej me ritme të shpejta dhe inflacioni u rrit me më shumë se 30%. Papunësia po rritej dhe konsumi i individëve po ulej. Për këto arsye, Banka Qendrore e Argjentinës rriti normat e interesit me 60%. Shumë argjentinas ndjejnë se po vjen një krizë tjetër, e ngjashme me atë të vitit 2001.

E gjendur në një situatë tjetër krize, zgjidhja e Argjentinës ka qenë ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ajo mori huanë më të madhe të dhënë ndonjëherë nga FMN, me qëllim për të mbështetur financat e vendit të cilat po përkeqësoheshin ndjeshëm: një hua 57.1 miliardë dollarë e cila do të disbursohet gjatë 3 viteve të ardhshme.

Pjesa e parë e kredisë – 15 miliardë dollarë – është dhënë tashmë nën disa kushte, përfshirë këtu edhe arritjen e deficitit në nivelin 0 për vitin 2019.

Argjentina siguroi fillimisht 50 miliardë dollarë kredi në qershor 2018 pas krizës së monedhës së Amerikës së Jugut, pesos, dhe inflacionit të rritur me mbi 30%. Ministri i Ekonomisë, Nicolas Dujovne, tha se në minutën e fundit FMN ra dakord që të rriste kredinë me 7.1 miliardë dollarë.

Sipas FMN, pjesë e marrëveshjes është që Banka Qendrore e Argjentinës të ndërhyjë në tregun e monedhës vetëm në raste ekstreme dhe se shtesa e kredisë do të ndihmojë qeverinë argjentinase të përballet me sfidat e saj. Me raste ekstreme ajo nënkupton rënien e kursit të këmbimit nën 44 pesos/dollarë. Por, shumë shpejt kursi i këmbimit arriti në 39 pesos/dollarë.

Shumë argjentinas fajësojnë institucionet ndërkombëtare huadhënëse për inkurajimin e politikave që e çuan Argjentinën në krizë në vitin 2001, nga ku miliona argjentinas ranë në varfëri. FMN e pranon se ka bërë disa gabime radhë që kontribuuan në paqëndrueshmërinë ekonomike. Një raport i vitit 2004 nga FMN doli në konkluzionin se ajo dështoi të siguronte mbikëqyrje të mjaftueshme dhe mbivlerësoi rritjen dhe suksesin e reformave ekonomike, ndërkohë që vazhdoi të japë hua për Argjentinën, kur barra e saj e borxhit ishte e paqëndrueshme.

Edhe për këtë recesion, duket se argjentinasit fajësojnë FMN. Kjo e fundit shihet si Syri i Sauronit mbi Argjentinën, i frikshëm, i urryer dhe i përçmuar në gjithë vendin. Ajo ndjek çdo lëvizje të bërë në Casa Rosada në Buenos Aires.

Edhe pse e parë me dyshim, huaja e dhënë nga FMN duket se është përdorur siç duhet. Kursi i këmbimit është ulur në nivelin 37.22 pesos/dollarë dhe pritet të ulet. Sipas ekspertëve të ekonomisë, edhe pse rritja ekonomike do të jetë negative edhe për këtë vit, pritet që Argjentina të dalë nga recesioni në vitin 2020 me një rritje prej 2.6%. Investimi në bujqësi dhe rritja e prodhimit bujqësor pritet të jeta shtylla që do të ngrihet për të mbështetur këtë rritje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here