Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare. Burimi kryesor i informacionit për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2018, arriti 105,9 kundrejt muajit Dhjetor 2015. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2018 është 1,8 %. Edhe një vit më parë ky ndryshim ishte 1,8 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2018, krahasuar me Nëntor 2018, është 1,1 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,10 pikë përqindje, pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga +0,45 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje.

Ndikimi i grupeve të mallrave në ndryshimin vjetor të çmimeve

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,5 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,2 %, “Transporti” me 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,2 %, “Shërbimi arsimor” me 0,7 %, “Komunikimi” me 0,5 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me -1,6 % pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,5 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 22,9 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,0 %, “mish” me 0,4 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “fruta” u ulën me 2,3 %, pasuar nga “bukë dhe drithëra” me 1,4 %, “peshk” me 1,3 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2018, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 2,6 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,6 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,5 %, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,2 %.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here