Komisioni Evropian ka dhënë disa vlerësime dhe rekomandime për përmirësimin e tregut të punës në vendet Ballkanit Perëndimor. Këto janë disa prej konkluzioneve të raportit të saj për Shqipërinë. 

Aktiviteti ekonomik i rritur në Shqipëri ka sjellë disa përmirësime në tregun e punës, por nuk janë përkthyer në përfitime të rëndësishme në rezultatet e punësimit. Vihet re se shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,7%. Numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,3 % dhe krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, ky tregues u rrit me 0,4 %. Rritje më të madhe në punësim ka pasur në sektorin e industrisë. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 3,9 % në sektorin e industrisë, 2,5 % në sektorin e shërbimeve dhe 1,2 % në sektorin e bujqësisë.

Shqipëria vazhdon të përballet me normë të ulët pjesëmarrjeje në tregun e punës, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë, dhe papunësia e përgjithshme për periudha afatgjatë mbetet e lartë. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 68,3%. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 51,4 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 77,5 %.

Një lidhje më e mirë e rezultateve të edukimit me tregun e punës mbetet një sfidë kyçe. Aktivizimi dhe arritja e Politikave Aktive për Tregun e Punës (ALMPs) dhe shërbimet e punësimit mbeten të pamjaftueshme. Niveli i lartë i informalitetit vazhdon të veprojë si një pengesë për rritjen dhe pjesëmarrjen e plotë në tregun e punës, gjë që prek situatën sociale të popullsisë. Sfida të tjera të tregut të punës lidhen me kuadrin ligjor dhe institucional të tregut të punës dhe përfshijnë defiçencat në dialogët socialë dhe përfshirjen e grupeve të interesit.

Është bërë pak progres në përmirësimin e arsimit të lartë dhe sistemit të arsimit profesional. Ligji i ri mbi arsimin e lartë është adoptuar dhe përgatitjet për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë janë duke u zhvilluar, por, nuk ka progres në lidhje me strategjitë e arsimit të lartë.

Shqipëria planifikoi të adresojë mospërputhjet e aftësive dhe të përmirësojë sistemin e arsimit profesional. Kuadri i Kualifikimeve në Shqipëri ishte planifikuar të zbatohej që nga 2018, por, nuk janë bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Krijimi i një sistemi mësimi dhe drejtimi i të diplomuarve tek sistemi i arsimit profesional janë hapa të rëndësishëm, por, kapacitetet zbatuese mund të përbëjnë rrezik për zbatimin efektiv të masave.

Zgjerimi i kapacitetit të zyrave të punësimit dhe ALMPs është i përshtatshëm, por ndikimi i pritur është i ulët dhe ekziston një mungesë e fokusit strategjik për të luftuar punësimin jo formal. Përfitimet e limituara nga punësimi (pagat)  tregojnë për një inefiçencë të pa adresuar, siç është pjesëmarrja e pamjaftueshme në tregun e punës dhe angazhimi i lartë në punësimin jo formal. Ka pasur disa përpjekje për të përmirësuar masat për aktivizimin përmes kontrollit më të mirë të pagesës që jepet për të papunët dhe kombinimin e politikave ALMP me trajnimet profesionale, por pas hartimit të tyre, këto masa nuk janë zbatuar. Një fushatë është kryer për të rritur regjistrimin e punësimit, megjithatë nuk ekziston një qasje strategjike dhe krahasuese për luftën kundër punës së padeklaruar dhe për rritjen e punësimit formal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here