Shumë vende në botë kanë probleme me krimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, por, rasti i Arabisë Saudite është më i tmerrshmi. Nivelet e larta të shtypjes së popullsisë, burgosjet e njerëzve të cilët luftojnë për të drejtat e njeriut, trajtimi i femrave si objekt dhe jo si qenie njerëzore duke arritur deri në makabritete janë vetëm disa prej shkeljeve që në këtë vend bëhen.

Jo më larg se dy muaj më parë, në mediat ndërkombëtare bëri bujë të madhe vrasja e gazetarit opozitar në Arabinë Saudite. Human Rights Watch ka thënë se vendet e tjera duhet të ndalojnë vrullin e Arabisë Saudite për të shkelur dhe vrarë këdo dhe se OKB-ja duhet të hapë një hetim për të përcaktuar në mënyrë të pavarur rrethanat që lidhen me vrasjen e gazetarit. Hetimi duhet të përfshijë përcaktimin e rolit të Arabisë Saudite dhe identifikimin e atyre që janë përgjegjës për autorizimin, planifikimin dhe kryerjen e vrasjes me sa duket brutale.

Por, jo më larg se dy ditë më parë, Kryeministri Rama ka kryer një vizitë në vendin në të cilin mund të vritet një njeri për arsye se është femër ose sepse mendon dhe ka një opinion ndryshe.

Në postimin e tij ai është shprehur “Ekonomi, turizëm, trashëgimi kulturore dhe plane të përbashkëta investimesh, me vullnetin e çeljes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve”.

Bashkëpunimin ekonomik mund ta kapërdijmë dhe pse me vështirësi, por, trashëgiminë kulturore, jo vetëm që nuk e kapërdijmë dot, por edhe nuk arrijmë ta kuptojmë se çfarë nënkupton kryeministri jonë me trashëgimi kulturore?

Trashëgimia kulturore është trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë të cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, tek gjeneratat e tashme me qëllim të kujdesit për të mirën e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale, kulturën shpirtërore, (të tilla si folklori, traditat, gjuha dhe njohuritë tradicionale), si dhe trashëgiminë natyrore.

Nëse Rama e di se çdo të thotë trashëgimi kulturore, atëherë, urojmë që planet e tij për të parë dhe mësuar nga trashëgimia kulturore të jenë si çdo plan ose premtim tjetër, pra, boshe dhe të parealizuara. Ç’mund të mësojmë ne nga një vend që dhunon femrat? Që i trajton ato si objekt, si sende dhe jo si qenie njerëzore? Një vend që vret dhe burgos këdo që ka një mendim ndryshe dhe kundër qeverisë?

Mbase për kreun e vendit tonë rëndësi ka bërja e fotove të bukura dhe propaganda e marrëdhënieve të tij të mrekullueshme me ndërkombëtarët, por, do ishte më mirë që të propagandonte dhe të vizitonte perëndimin. Kështu, mbase do të bindeshim se jemi në rrugë të mbarë drejt BE-së. Një vizitë e tillë në Arabi, në periudhën që OKB do të hapë hetimet mbi vrasjen brutale të gazetarit, tregon se marrëdhëniet mes perëndimit dhe Ramës nuk janë shumë të mira, dhe lindja mbetet alternativa e vetme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here