• Arsyet e largimit lidhen me papunësinë, kushtet e jetesës dhe mungesën e shpresës për të ardhmen
  • Cilësia problematike e arsimit
  • Diferencat e madhe e pagave për të njëjtin profesion me vendet e zhvilluara

Nga një vrojtim i Gallup analytics rezulton se pjesa më e madhe e moshës së re të popullsisë dëshiron të largohet nga Shqipëria.
Nga studimi u konstatua se pothuajse 80% e të rinjve duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Kjo normë u konsiderua ndër më të lartat në botë duke u krahasuar me vendet me konflikte të armatosura.

Në rajon, shifra e dytë më e madhe i përket Bosnjës me 61% të të rinjve që duan të largohen.

Arsyet e largimit të të rinjve shqiptarë lidhen me kushtet sociale në vend, papunësinë si edhe mungesën e shpresës për të ardhmen.

Përsa i përket papunësisë, nga të dhënat e INSTAT vihet re se tek të rinjtë midis moshave 15-29 vjeҫ papunësia është 22,6% ose rreth dy herë më e lartë se norma mesatare e papunësisë. Megjithëse kjo shifër ka ardhur në rënie që prej vitit 2014, nuk përjashtohet mundësia që të mos jenë llogaritur të rinjtë e larguar nga vendi gjatë këtyre viteve.

Papunësia e të rinjve reflekton problemet e tregut të punës dhe moskoordinimit të nevojave të tij me ofertën akademike të universiteteve që i përgatisin të rinjtë për këtë treg. Është argumentuar nga mjaft ekspertë që universiteti në Shqipëri ofron dije të përgjithshme në lidhje me disiplinat e caktuara, ndërkohë që tregu i punës kërkon aftësi specifike të cilat do të kërkonin një reformë të madhe në arsim. Për Shqipërinë implementimi i një ideje të tillë do të kërkonte klasa me numër më të vogël studentësh dhe disiplina më specifike në përputhje me kërkesat e tregut. Por duke qenë se tregu është i paorganizuar, kjo ide mbetet utopike dhe nga mjaft të rinj duket më e leverdisshme largimi nga vendi për të studiuar apo punuar në ekonomi më të begata.

Një tjetër arsye lidhet edhe me diferencat në paga të profesioneve të njëjta në Shqipëri dhe në botë. Studentët e diplomuar për shkenca informatike apo të programimeve janë ata që kanë më pak të ngjarë të mbeten të papunë në tregun e brendshëm referuar nevojës në rritje për teknologjinë e informacionit. Një programues i sapodiplomuar në Shqipëri merr një pagë jo më të madhe se 500 euro e cila edhe pse mund të duket e rëndësishme, për të njëjtin profesion pa kërkuar asnjë specializim shtesë, ky i sapodiplomuar do të paguhej në Angli me rreth 6000 paund. E duke mos marrë parasysh diferencat tërësore të vendeve dhe kushteve sociale, kjo diferencë kaq e lartë në paga ka bërë që Shqipërisë t’i largohen të rinjtë më të aftë të cilët i bashkohen forcave të punës në ekonomitë e zhvilluara të cilat kanë kapacitetet e duhura për të joshur burime njerëzore të fuqishme.

Nga studime të mëparshme të Gallup, drejtuar qytetarëve janë vënë re konstatime të rëndësishme në lidhje me korrupsionin dhe sigurinë e brendshme. Përsa i përket korrupsionit nga vrojtimi i fundit rezultoi se 90% e shqiptarëve e konfirmojnë faktin se korrupsioni është përhapur gjërësisht. Rezultatet e vrojtimit ishin shumë më të larta se i njëjti vrojtim 5 vjet më parë. Përsa i përket sigurisë së brendshme, në indeksin e ligjit dhe të rendit të Gallup në 2017, Shqipëria u rendit e fundit në Ballkan dhe në vendin e 78 në botë.

Këto vrojtime të Gallup mbështesin, studimin e largimit të të rinjve. Ambienti në Shqipëri lë për të dëshiruar. Mentaliteti i një popullsie të dalë nga një diktaturë e ashpër, ka sjellë një model ekonomik që ushqen automatikisht korrupsionin, mashtrimin, dhe pengon sinqeritetin e transparencën në të gjitha nivelet hierarkike të organizimit të shtetit.

Të rinjtë shqiptar janë rritur në një kohë ku aksesi i internetit është i palimituar dhe dija vjen e gatshme nga ҫdo cep i globit. Kur konstatojnë realitetin në vendin e tyre dhe bëjnë krahasimet me shoqëritë e tjera, për të rinjtë lind një ndjenjë admirimi për shoqëritë e zhvilluara dhe një ndjenjë pasigurie për të ardhmen në këtë vend.

Dëshira e të rinjve për t’u larguar përgjithmonë nga vendi përbën një problem kombëtar. Fenomeni pritet të sjellë pasoja të pazgjidhshme për të gjithë sistemin ekonomik dhe financat publike në vitet e ardhshme. Eksodi do të përmbysë të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore duke bërë që gjithë burimet njerëzore të Shqipërisë t’i kalojnë ekonomive më konkurruese të botës.

Në aspektin individual, për një të ri sot është jetike largimi sa më parë nga Shqipëria dhe ndoshta është zgjidhja më e mirë e mundshme. Në këtë mënyrë, të rinjtë mund të jenë më të dobishëm për familjet e tyre pasi të ardhurat do t’i kenë më të larta në vendet e huaja ku aspirojnë të shpërngulen. Kështu nga projeksionet e studimeve Shqipëria rrezikon të kthehet në një territor të shkretë me popullsi të plakur e që pret remitanca nga të rinjtë që punojnë jashtë vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here