Pas pak javësh do të mbushen plot 75 vjet nga botimi për herë të parë të librit “Rruga drejt bujkrobërisë” nga Fridrih Hajek. Ky ka qenë padyshim një nga librat më të mahnitshëm dhe me ndikimin më të madh në sferën politike dhe ekonomike gjatë shekullit të njëzetë. Me anën e këtij libri ai paralajmëronte lexuesit për rreziqet që vinin nga idetë socialiste kur viheshin në praktike madje edhe kur ato bëheshin për qëllime të mira. Ai ishte i bindur se kontrolli shtetëror i ekonomisë shkonte ndesh me lirinë personale dhe politike dhe vinte alarmin se etatizmi vë në lëvizje një proces ku «më të kqëinjtë dalin në krye» dhe shoqëria shkon drejt një tiranie. Këtë libër ai ia “dedikonte socialistëve të të gjitha krahëve” duke lënë të kuptohet se, ngjashëm me Shqipërinë sot, këto ide kolektiviste që synonin të shtonin ndërhyrjen e shtetit në ekonomi vinin nga të gjitha llojet e partive, qofshin ato majtas apo djathtas.

Edhe pse u botua në vitin 1944 ky libër është ende aktual dhe me leksione të shumta të nevojshme për t’u mësuar nga shqiptarët në përgjithësi dhe elita jonë intelektuale në veçanti. Prandaj analizat multidisiplinare historike, filozofike, politike dhe ekonomike që ai bën në këtë libër dhe rekomandime që ai jep janë universale, dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me shoqërinë gjermane por me të gjitha vendet që bien pre të tendencave intervencioniste.

Fillimisht në librin e tij ai flet për rrugën e braktisur duke e vënë theksin tek fakti që shoqëria ishte duke braktisur individualizmin duke përqafuar kolektivizimin. Sipas tij, ishte liberalizmi i bazuar tek të drejtat e individit, pra sistemi bazuar në parimet laissez faire, ai që solli arritjet më të mëdha që kishte parë ndonjëherë njerëzimi gjatë shekullit 19-të. Ai shkruante se kapitalizmi është sistemi i vetëm i ekonomisë që përputhet me dinjitetin njerëzor, prosperitetin dhe lirinë dhe kur ne largohemi nga ai sistem, fuqizojmë njerëzit më të këqij në shoqëri për të menaxhuar atë që ata nuk e kuptojnë. Për të përparimi ekonomik është arritur gjatë një kohe kur individit iu lejua të krijonte pa u trazuar nga ndërhyrja që bën shteti me idenë mbrojtjes së të mirës më të madhe kolektive. Kjo gjë nuk mund të theksohet asnjëherë mjaftueshëm mes shqiptarëve që sot shikojnë një Evropë Perëndimore të zhvilluar por me tendenca te theksuara intervencioniste të qeverive përkatëse. Për këtë arsye ata dalin në konkluzionin e gabuar se këto politika ndërhyrëse në ekonomi janë shkaktare të mirëqënies që kanë këto vende. E vërteta është se këto vende perëndimore që shikojmë të përparuara sot, begatinë e mirëqënien e fermentuan, kultivuan dhe konsoliduan në kuadër të liberalizmit ekonomik pra të një shteti shumë të vogël me ndërhyrje minimale në ekonomi.

Duhet patur parasysh gjithashtu se libri është botuar në një kohë kur, për shkak edhe të luftës dhe sakrificave të Ushtrisë së Kuqe, Bashkimi Sovjetik shikohej me simpati e admirim anembanë botës perëndimore. Madje shumë filluan ta shikonin si një model ideal i një shoqërie që kishte çliruar masat nga shfrytëzimi e varfëria dhe që duhej imituar. Nga ana tjetër ishte çimentuar përshtypja se regjimi nazist ishte një diktaturë mizore e ndërtuar nga elitat aristrokatike dhe kapitaliste për të ruajtur e kontrolluar pushtetin. Hajeku tregonte se nazifashizmi nuk ishte gjë tjetër përveçse një përkeqësim i idealeve socialiste që ishin ngulitur në shoqërinë gjermane për shumë breza me radhë. Pra, ndryshe nga çfarë mendon pjesa dërmuese e opinionit publik shqiptar,nazizmi gjerman nuk ishte një perversion apo degradim i “të djathtës” që u shkaktua nga kontradiktat e brendshme të kapitalizmit sikurse pretendonin komunistët. Përkundrazi, Hajeku shtjellon se lëvizja naziste ishte zhvilluar nga idetë socialiste dhe kolektiviste që lulëzuan në botën gjermane në periudhën përpara Luftës së Parë Botërore. Ai argumentonte se ka një lidhje shumë të ngushtë mes totalitarianizmit nazist dhe totalitarianizmit stalinisit.

Libri u shkruajt gjatë kulmit të Luftës së Dytë Botërore dhe teza kryesore ishte se shumë nga prirjet ideologjike dhe politikat ekonomike që sollën triumfin e nazizmit, mund të shikoheshin të pranishme edhe në Britani e Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, liria individuale karakterisitë e botës anglo-amerikane ishte e kërcënuar prej paternalizimit socialist dhe drejtimit të centralizuar

ekonomik nga shteti. Prandaj në njëfarë mënyre vendoste alarmin se ekzistonte një rrezik konkret që me forcimin e ideve socialiste të pranishme në këto shtete të rrezikoheshin edhe themelet e lirisë në të cilat mbështetej shoqëria e këtyre dy vendeve. Sipas tij nëpërkëmbja e të drejtave të individit, planifikimi qendror dhe intervencionizmi i qeverisë në mënyrë të pashmangshme do të çonte drejt tiranisë.

Ky rrezik vlen edhe për Shqipërinë ku duhet të bëhet e ditur për shoqërinë tonë se sa më shumë të rritet përgjegjësia apo kontrolli i qëeverisë mbi aktivitetet ekonomike të shoqërisë aq më shumë zvogëlohet autonomia dhe pavarësia e individit. Besimi i tepruar që kemi tek ndërhyrja e shtetit dhe iluzioni se shteti vepron në mënyrë prindërore për të na mbrojtur nga peripecitë me të cilat ballafaqohemi përditë në jetë dobësonë vetë-besimin, autonominë dhe iniciativën indidivuale. Kjo situatë i bën njerëzit më pasiv duke humbur njdesinë e lirisë personale duke i bërë ata gradualisht, gjithnjë e më të përulur, të dëgjueshëm e të nënshtruar ndaj shtetit. Kështu që jo vetëm që nuk kërkojnë llogari, nuk bëjnë presion, nuk vënë para përgjegjësisë qytetarët por thjesht shndërrohen në bujkrobër apo skllevër. Ja edhe ku doli meseleja e përzgjedhjes së titullit, kjo është faktikisht rruga drejt bujkrobërisë.

Janë të panumërt leksionet që mund të nxirren nga ky libër kryevepër dhe asnjë artikull, koment apo konspektim i këtij libri nuk e zëvendëson dot leximin që duhet t’i bëj çdokush që ka interes për politikën dhe ekonominë. Por mbase leksioni më i mirë që shqiptarët mund të nxjerrin sot prej librit “Rruga drejt bujkrobërisë” vjen nga kapitulli i 10-të ku shpjegon “Pse më të kqëinjtë dalin në krye” në shoqëritë totalitare. Kapitulli nis me një citim nga Lordi Acton që thotë se “Fuqia të korrupton, dhe fuqia absolute të korrupton në mënyrë absolute.” Një ndër legjendat urbane që qarkullon në Shqipëri është se gjërat më negative të sistemeve totalitare apo autoritare kanë ardhur për shkak të liderëve të këqinj apo të gabuar. Ekziston tek ne iluzioni se përqëndrimi i pushtetit në një dorë në një mund të jetë pozitive për të mirën e përbashkët nëse dora që e mban është dorë fisnike. Ka shumë shqiptarë që mendojnë se diktatura është një sistem i fuqishëm që mund të jetë efikas qoftë për të mirën dhe të qoftë keqen porse qëllimi për të cilin përdoret varet tërësisht nga udhëheqësit që janë në krye. Pra që diktaturat kanë qenë se diktatorët kanë qenë të këqija por mund të ketë diktatorë të mirë që t’i bëjën të mira diktaturat. Një trashëgimi historike kjo për të besuar në “despotin e ndritur” që pushtetin e madh që ka e përdor për të mirë të shoqërisë. Për këtë iluzion Hajek shprehet se “Ka arsye të forta për të besuar se ato që na duket si tiparet më të këqija të sistemeve ekzistuese totalitare nuk janë nënprodukte të rastësishme, por dukuri që totalitarizmi ka për t’i prodhuar me siguri vetë herët a vonë”.

Është shumë i madh numri i qytetarëve shqiptarëve që i besojnë këtij iluzioni. Këtë gjë e dëshmon fakti që Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare me argumentin e përqëndrimit të pushtetit në një dorë (thënë ndryshe në për të marrë të gjithë tepsinë në dorë). Prej periudhës së iluministëve, ideja e decentralizimit të pushtetit dhe luftës kundër absolutizmit ka qenë një ndër idetë më përparimtare. Ajo u bë shtyllë e sistemit liberal-demokratik të Evropës e për ta realizuar apo për ta mbrojtur janë derdhur lumenj gjaku. Mirëpo PS-ja dhe lideri i saj ia doli që të fitojnë pushtetin me propozimin e përqëndrimit të pushtetit në një dorë, një ide që shkon ndesh me një ndër vlerat kryesore Evropiane të tre shekujve të fundit.

Hajek mes shumë të tjerash, shpjegon se si është e pamundur që të kesh një “despot të të ndritur” sepse sistemi totalitar nxjerr në krye në mënyrë të pashmangshme e natyrshme njerëzit më të këqinj. Prandaj për të “ nuk është aspak rastësi që ata që janë të paskrupullt dhe pa moral ka gjasa të jenë më të suksesshmit në një shoqëri autoritare”. Sipas tij personat që ngrihen në majë të një qeverie të tillë janë ata që më së shumti duan të përdorin pushtetin dhe ata që janë më të pamëshirshëm në përdorimin e pushtetit. “Ashtu si arkitekti i zgjedhjeve që pë merr përsipër të planifikojë jetën ekonomike së shpejti do të duhet të zgjedhi ose që të marrë kompetenca diktatoriale ose që të braktisi planet e tij, ashtu edhe diktatori totalitar së shpejti duhet të zgjedhë mes heqjes dorë nga moralet e përgjithshme dhe dështimit. Kush nuk e kupton këtë gjë nuk e ka kuptuar se sa i madh është hendeku që ndan totalitarizmin nga liberalizmi dhe nuk ka kuptuar dallimin e plotë mes tërë atmosferës morale të socializmit dhe natyrës thelbësisht individualiste të qytetërimit perëndimor.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here