Dy muaj pasi Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro vizitoi kolegun e tij Recep Tayyip Erdogan në Ankara, filloi të ekzistojë një kompani misterioze e quajtur Sardes.

Firma filloi biznesin duke bërë zhurmë në janar 2018, kur importoi rreth 41 milion dollarë ar nga Venezuela, transaksioni i parë i kësaj natyre mes dy vendeve. Muajin tjetër volumi i importit u dyfishua, Sardes transportoi gati 100 milion dollarë ar në Turqi.

Në nëntor, kur Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që autorizonte sanksione mbi arin e Venezuelës – pasi dërgoi një lajmërim për të paralajmëruar Turqinë për t’u tërhequr nga tregtia, Sardes kishte nxjerrë 900 milionë dollarë ar nga Venezuela. Jo keq, për një kompani me një kapital neto prej 1 milion dollarë.

Nuk është hera e parë që Turqia e ka pozicionuar veten si bashkëpuntore për vendet që janë përballur me sanksione nga SHBA, duke rrezikuar projektet e Washington për të izoluar qeveri që i konsideron të korruptuara ose armiqësore. Ankara ka testuar shpesh kufijtë e tolerancës së SHBA dhe marrëveshja mes anëtarëve kyç të NATO është esencialisht e prishur, sipas dy zyrtarëve të lartë të SHBA.

Ndryshimi i Aleancave

Një nga partnerët dikur më të vlefshëm të Amerikës në rajon për shkak përplasjeve me Evropën dhe Lindjen e Mesme, Turqia gjithnjë e më shumë ka gjetur interesa të përbashkëta me vendet autoritare si Rusia, Kina, Irani dhe Venezuela. Kur udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare Juan Guaido deklaroi veten si president i ligjshëm i Venezuelës muajin e kaluar, SHBA dhe shumë vende të tjera perëndimore deklaruan mbështetjen e tyre për të. Turqia u rreshtua me ata që qëndronin pas Maduro.

Është e paqartë se çfarë fshihet pas mbështetjes së Turqisë për Maduro përtej kundërshtimit të përgjithshëm të ndërhyrjeve të SHBA dhe përpjekjeve të saj për të përmbysur qeveritë jo demokratike. Erdogan u përball me një përpjekje për grusht-shtet në vitin 2016 dhe e portretizoi veten si kampion i udhëheqësve të zgjedhur kudo, madje edhe kur vota nuk u konsiderua as e lirë e as e drejtë. Lidhjet ekonomike midis dy kombeve nuk janë një faktor: Venezuela nuk renditet ndër 20 partnerët më të mëdhenj tregtarë për Turqinë, sipas të dhënave të përpiluara nga Bloomberg.

Por, kjo nuk do të thotë se Erdogan nuk mund të përdorë ekonominë e Turqisë prej 850 miliardë dollarësh, më e madhja në Lindjen e Mesme, për të ndihmuar miqtë në nevojë. Ndërsa korridori i artë i Sardes duket se është mbyllur në nëntor, ka rrugë të tjera. Një zëdhënës i Sardes nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

SHBA nuk shqetësohet nga Venezuela por marrëdhëniet e Turqisë me Iranin. Nën regjimin e sanksioneve, Irani shet çdo vit miliarda dollarë karburant në Turqi, por, shuma e parave ngec në llogaritë bankare turke për shkak të kufizimeve ndërkombëtare për kthimin e parave në Teheran. Skemat që përfshijnë përdorimin e arit fizik, në të kaluarën kanë lejuar Republikën Islamike të financojë tregtinë e saj të jashtme.

Mehmet Hakan Atilla, ish-drejtuesi i bankës ndërkombëtare të huadhënies turke, Turkiye Halk Bankasi AS, u dënua vitin e kaluar në një gjykatë të Nju Jorkut për pjesëmarrje në një skemë të tillë. Turqia thotë se rasti mbështetet në prova të fabrikuara dhe mohon keqbërjen. Ajo gjithashtu thotë se nuk është e detyruar t’i përmbahet sanksioneve unilaterale të SHBA.-së që bllokojnë aftësinë e saj për të tregtuar me fqinjët dhe partnerët e tjerë ekonomik.

Të dhënat zyrtare nuk e tregojnë se ku ari venezuelian përfundoi pasi u ul në Turqi. Qeveria turke nuk ka zbuluar vendndodhjen e arit.

Ndihma financiare e Turqisë ndaj armiqve të SHBA është vetëm një nga çështjet që vështirësojnë marrëdhëniet dikur të ngushta. Turqia po kërcënon gjithashtu të dërgojë ushtrinë e saj, e dyta më e madhe në NATO, për të sulmuar forcat kurde në Siri që mbështesin SHBA. Kleriku turk që Turqia fajëson për përpjekjen e grushtit të shtetit 2016, Fethullah Gulen, jeton në Pensilvani. SHBA ka refuzuar deri tani përpjekjet turke për ta nxjerrë atë ekstraduar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here