• Modeli atëror i nderimit të pushtetit
  • Psikologjia e luftës ndaj armiqve
  • Mentaliteti i përtacësisë
  • Populizmi
  • Abuzimi me pronën publike

Transformimi radikal i ekonomisë shqiptare pas viteve 90’ kërkoi një përkufizim të ri mbi rolin e shtetit në shoqëri e në ekonomi. Dëri në atë kohë ideologjia komuniste instaloi në mentalitetin e vendit modelin atëror që manifestohet me nderim të pushtetit e për rrjedhojë të shtetit. Abdikimi i këtij modeli i bëri njerëzit të ndiheshin të braktisur nën një kërcënim të përditshëm të papunësisë dhe të një pasigurie për të nesërmen, të cilat ishin ndjesi të reja për to. Gjithashtu sistemi totalitar i ardhur nga lufta arriti të forocojë psikologjinë e luftës ndaj armiqve. Luftërat kanë qenë ngjarje të shpeshta në territoret shqiptare që nga Perandoria romake deri tek ajo osmane duke vazhduar me pushtimet moderne nga forcat perëndimore e së fundmi nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ka shërbyer si ushqyes i intolerancës, dyshimit të vazhdueshëm dhe mungesës së zgjidhjeve demokratike. Ideja e vjetër e trashëguar “me ne ose kundra nesh” është edhe sot një pengesë seriozë për shoqërinë post komuniste.

Hapi i parë që u ndërmor për të dalë nga modeli i vjetër ishte reformimi i sistemit ligjor. Ky sistem do të zëvendësonte strukturat e vjetra socialiste me format e pronës private, karakteristikë e ekonomisë së tregut. Kështu ndër instrumentat e përdorur ishin ligjet mbi shpërndarjen e tokave, privatizimit, investimeve të huaja, sistemit të taksave e sigurimeve shoqërore etj. Megjithatë referuar ngjarjeve të viteve 1996-97 dolën në pah dobësitë e sistemit ligjor si korrupsioni, kontrabanda, funksionimi i aktivitetit bankar dhe skemat piramidale, Të drejtuar nga ide populiste për një jetë me mirëqenie të lehtë dhe false në mjedisin e tregut të ri, mjaft kursime shkuan drejt aktiviteteve mashtruese duke shkaktuar një shkatërrim ekonomik. Mentaliteti i përtacisë me rrënjë në të shkuarën, ushqeu këto zgjedhje pasive. Këto ngjarje krijuan një konceptim të gabuar të ekonomisë së tregut si e lidhur me mashtrimin, falsifikimin, mungesën e sinqeritetit dhe ndershmërisë kundrejt klientit.

Barrierat e tjera të mentaliteteve po bëhen pengesa të vertëta për progresin e reformës ekonomike në Shqipëri. Një pjesë e tyre vjen nga injoranca dhe mungesa e eksperiencës në përballjen me realitetin e tregut të ri. Disa prej këtyre mund të jenë : psikologjia individualiste e punonjësve të vegjël, mungesa e motivacionit dhe e devotshmërisë, mungesa e vullnetit për punë, psikologjia e pritjes, injorimi i domosdoshmërisë së marketingut, mungesa e një mentaliteti të ri menaxherial. Këto i përkasin pjesës në lidhje me institucionalizimin e tregut.

Nga ana tjetër mentaliteti i vjetër ka ndikuar në abuzimet e shumta në sektorin publik. Gjatë periudhës së tranzicionit, pjesë e pronës publike është keqtrajtuar dhe vjedhur. Nuk mund të thuhet se në periudhën e komunizmit kjo gjë nuk ka ndodhur. Përkundrazi papërgjegjshmëria e përdorimit të pasurisë publike i ka rrënjët nga organizimi qëndror i cili me heqjen e pronës private shkatërroi konceptin e pasurisë e për rrjedhojë të përgjegjësisë individuale mbi pronën. Ardhja nga një ekonomi e varfër dhe pa asgjë në zotërim ka ushqyer korrupsionin dhe tendencën për të përfituar ekonomikisht nga pushteti politik. Ky proces është ndihmuar nga sistemi i dobët ligjor dhe barrierat burokratike.

Një nga mësimet për vonesën e transformimit ekonomik të Shqipërisë lidhet me iluzionin e krijuar nga populizmi të transformimit pa vuajtje. Mentalitetet e vjetra dhe të reja gjithashtu kanë penguar reformën ekonomike, në vend që ta përshpejtonin atë. Në këtë kontekst ndryshimi i mentalitetit të shqiptarëve kërkon më tepër transparencë dhe sinqeritet për të shmangur iluzionet gjatë reformës ekonomike. Edukimi i thelluar është një komponent që jo vetëm mund ta modernizojë mentalitetin por edhe ta vërë në punë në shërbim të të gjithë aktorëve të ekonomisë. Reforma në drejtësi si një nga reformat më të përfolura dhe më të shtrenjta në realitetin shqiptar erdhi si pasojë e këtyre mentaliteteve që ҫdo ditë e më shumë janë munduar të zhvasin në mënyra nga më të ndryshmet aktorët ekonomik të pambrojtur.

Ajo që mbetet e rëndësishme është kthimi me fytyrë drejt botës së zhvilluar. Biznesi si njësia qelizore e ekonomisë së tregut duhet të jetë prioriteti i politikave ekonomike. Një qeveri duhet të garantojë që tregu siguron gjithҫka nga ndërveprimi i lirë i aktorëve, por jo të ndërhyjë për shtrembërimin e tij. Biznesi në Shqipëri, bëhet subjekt i taksimeve sipas doktrinave të partive që vijnë në pushtet, të cilat, sërish të bazuara në mentalitetin e vjetër synojnë ta konsiderojnë aktivitetin e tij si burim të ardhurash qeveritare. Në një ekonomi të pastër tregu roli i qeverisë është minimal dhe garantues i të drejtave të individit. Individi nga ana tjetër duhet të përkushtojë forcat e tij për t’i shërbyer rritjes së aftësive personale duke synuar të ngjitet sa më lart në shkallët sociale. Individi mund të zgjedhë edhe pasivitetin por duhet të pranojë shtresën sociale ku bën pjesë pa u sforcuar për arritjen e iluzioneve që krijoi mentaliteti i ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here