Termi “vetting” mund të themi se është kryefjala e aktualitetit në vendin tonë, kryesisht për shkak të reformës në drejtësi, por edhe për aplikimin e tij në Policinë e Shtetit (vetëm në letra deri tani), kërkimin për aplikim në politikë apo propozimin edhe për fusha të tjera të jetës publike.
Vettingu në organet e drejtësisë u iniciua për të garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.
Ky proces që në terminologjinë ligjore shqiptare përkufizohet si “rivlerësim” sa i përket organeve të drejtësisë, përfshin kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale.
Sa i përket kriterit të pasurisë, subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.
Në lidhje me kriterin e figurës, subjektet e rivlerësimit dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja.
Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen gjithashtu edhe një rivlerësimi të aftësisë profesionale, me qëllim identifikimin e atyre të cilët nuk janë të kualifikuar për të kryer funksionin e tyre dhe të atyre të cilët kanë mangësi profesionale që mund të korrigjohen përmes edukimit.
Pavarësisht skepticizmit që ka përfshirë shumë aktorë dhe faktorë të sistemit të drejtësisë në lidhje me ecurinë e procesit të vettingut, ka një dakordësi në lidhje me faktin që besimi i publikut tek institucionet e këtij sistemi ka qenë dhe ende është në kuotat më të ulëta për shkak të të gjithë kritereve të cilat po vettohen.
Pyetja që lind është, a është vallë vetëm sistemi i drejtësisë ai ndaj të cilit ka humbur besimin publiku?! Patjetër që jo.
Shumë kontrata konçesionare (apo PPP) që përfshijnë investime strategjike si në shërbime, energji, por po ashtu edhe për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë apo porteve dhe aeroporteve shpeshherë jane bërë objekt debati për shkak se përfituesit kanë qenë subjekte të panjohur, pa ndonjë histori suksesi në biznes. I njëjti fenomen është hasur edhe me kontraktorët apo nënkontraktorët në kontrata të lidhura pas procedurave të prokurimeve publike.
Projektet e konçesionit/PPP mund të jenë të kërkuara apo të pakërkuara ndërkohë që procedura e prokurimit që paraprin lidhjen e kontratave publike mund të jetë procedurë e hapur ose procedurë me negocim. Historiku ka treguar se pavarësisht faktit që rregulli duhet të ishte që konçesionet/PPP e kërkuara dhe procedura e hapur në prokurime publike të ishin më të shumta në numër, ka ndodhur e kundërta. Buxheti i shtetit është shpenzuar kryesisht në konçesione/PPP të pakërkuara nga institucionet shtetërore dhe në kontrata publike pa garë, çka nënkupton se kanë qenë subjektet private ato që i kanë iniciuar dhe kanë përfituar nga këto procedura që janë ndër më të shtrenjtat për buxhetin e shtetit.
Të gjithë këto subjekte private që janë përfitues të kontratave konçesionare apo atyre të prokurimit publik me siguri që nuk kalojnë nën filtrin e një vettingu për aq kohë sa përfituese të këtyre kontratave janë dhe shoqëri me dokumentacion të falsifikuar, me ortakë persona të dënuar për vepra penale të cilat për nga natyra e tyre sjellin përfitime të konsiderueshme financiare apo shoqëri me kapitale dhe shpenzime të pajustifikuara.
Një fenomen i tillë sjell nevojën për ndërtimin, mbajtjen dhe prezantimin e një historiku të secilës shoqëri që kërkon akses në fondet publike (track record history) si dhe ndërtimin dhe mirëmbajtjen e mekanizmave garantues të parave publike, si për transparencën, ashtu edhe për efiçencën.
Një rregullim i tillë mund të përkthehet si një nevojë për vetting në biznes për të gjitha shoqëritë që kërkojnë akses në fondet publike dhe kur flasim për vetting në biznes duhet të kuptojmë atë të kriterit të pasurisë, justifikimin e kapitaleve, pra që mos kenë në përdorim apo zotërim pasuri më të mëdha se mund të justifikojnë dhe njëkohësisht edhe bashkëpunimet dhe shpenzimet të jenë të kontrolluara pasi janë kontratat fiktive apo nënkontraktimet ato që edhe fshehin korrupsionin në sektorin privat.
Në praktikat e të bërit biznes në Shqipëri është normale që tej huamarrjeve në sistemin bankar nëpërmjet kontratave të kredive të hasen dhe huamarrje nga individë ose shoqëri që përfitojnë konçesione strategjike si ato të përpunimit të hidrokarbureve që shndërrohen në mënyrë të menjëhershme në debitorët më të mëdhenj të buxhetit të shtetit apo dhe të sistemit bankar. Problematika janë hasur edhe në sektorin e energjisë kur kontrata konçesionare strategjike janë ndërprerë për shkak të nisjes së procedurave hetimore për pastrim parash nga përfituesit e kontratës. Po i njëjti dështim vihet re edhe në sektorin minerar apo edhe atë të veprave publike që nisin me buxhetim nga shteti e përfundojnë me konçesion apo edhe nuk përfundojnë fare ose përfundojnë vetëm në letra.
Një keqmenaxhim i tillë i fondeve publike që nuk po shterron vetëm buxhetin e shtetit, por edhe resurset natyrore të këtij vendi sjell nevojën imediate të vettingut për të gjithë subjektet që do të përfitojnë kontrata publike në të ardhmen.
Për të sanskionuar një filtër të tillë që garanton vijueshmërinë e investimeve dhe jo shpërndarjen e tyre në xhepa funksionarësh publikë nuk ka përse cënohet parimi i sigurisë juridike me ndërprerje apo “ngrirje” kontratash siç bëhet rëndom kur ka rrotacion pushteti apo qoftë edhe ndryshime ministrash që kanë nën kompetencë lëndore kontrata të tilla.
Vettingu në biznes jo vetëm që nuk e cënon sipërmarrjen e lirë, por e garanton këtë të fundit nga korrupsioni dhe shantazhi qeveritar. Vettingu në kontratat publike do të sjellë besimin e publikut te institucionet pasi kontrata publike të përfituara nën filtrin e vettingut do të reflektojnë transparencë, efiçencë dhe kosto më të ulët për publikun.
Ky mekanizëm, për shkak të mënyrës se si funksionon vettingu, do të garantojë transparencë jo vetëm për përfituesit e drejtpërdrejtë të kontratave publike, por edhe për të gjithë nënkontraktorët dhe furnitorët e këtyre subjekteve për aq kohë sa cilado shoqëri që do të përfshihet në kontrata të tilla do të duhet të justifikojë si kapitalin e saj, por po ashtu edhe të gjitha transaksionet e kryera me palë të treta gjatë aktivitetit tregtar.
Së fundmi, vendosja e një standardi të tillë, ka nevojë vetëm për vullnet politik pasi në terma të iniciativës ligjore, pas kaq shumë reformash rregullatore, është e nevojshme që të rishikohet vetëm legjislacioni në fuqi për prokurimet publike dhe ai për konçesionet dhe partneritetin publik privat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here