PPP është term gjithëpërfshirës që përdoret për t’iu referuar bashkëpunimeve ndërmjet autoriteteve publike dhe botës së biznesit për realizimin e projekteve të caktuara. Për të përcaktuar nëse një bashkëpunim ndërmjet këtyre dy aktorëve mund të kategorizohet si PPP ekzistojnë një sërë karakteristikash sipas “Green Paper” mbi Partneritetit Publik-privat të Komunitetit Europian.

Rrjedhimisht, një PPP duhet patjetër të karakterizohet nga:

1. Një kohëzgjatje relativisht e gjatë e marrëdhënies që përfshin bashkëpunimin ndërmjet partnerit publik dhe atij privat në aspekte të ndryshme të projektit të planifikuar.

2. Metoda e financimit të projektit, pjesërisht nga sektori privat, ndonjëherë me anë të marrëveshjeve komplekse me aktorë të tjerë. Pavarësisht kësaj, fondet publike -në disa raste janë thelbësorë-mund ti shtohen fondeve private.

3. Roli i rëndësishëm i operatorit ekonomik, i cili merr pjesë në etapa të ndryshme të projektit (dizenjimi, përfundimi, implementimi dhe financimi). Partnerët publikë përqendrohen kryesisht mbi objektivat që duhet të arrihen në interesin publik, cilësinë e shërbimeve të ofruara, politikën e cmimeve dhe mban përgjegjësi për monitorimin e përputhjes me këto objektiva.

4. Shpërndarja e rrezikut ndërmjet partnerit publik dhe atij privat, zakonisht rreziku transferohet tek ky i fundit nga partneri publik. Megjithatë, një PPP jo domosdoshmërisht nënkupton që partneri privat merr përispër të gjithë riskun, ose pjesën më të madhe të tij që lidhet me projektin. Shpërndarja e drejtë e riskut përcaktohet rast pas rasti, sipas mundësive respektive të palëve në fjalë për të vlerësuar, kontrolluar dhe menaxhuar riskun.

Këto praktika mjaft të përfolura në mjedisin e sotëm ekonomik shqiptar janë eksperimentuar dhe vazhdojnë të aplikohen edhe nga vendet e zhvilluara. Arsyet lidhen me pamundësitë e shteteve për të financuar projektet e mëdha, kryesisht infrastrukturore, me buxhetet e disponueshme. Gjithashtu niveli i borxhit në raport me prodhimin e brëndshëm të ekonomive ka qenë në përmasa alarmante duke u bërë subjekt i masave shtrënguese.

Në këtë kontekst potenciali i biznesit shfaqet si mbështetës i rëndësishëm. Në Shqipëri deri më tani pasuritë kombëtare të dhëna me koncesion sipas relacionit të buxhetit për vitin 2019 janë rreth 6,3 miliard euro ose rreth 46% të prodhimit të brendshëm bruto. Pjesa më e rëndësishme e kontratave janë nënshkruar me sektorin e energjitikës. Prodhimi i energjisë është ndër kontribuesit kryesorë të eksporteve shqiptare. Ndërtimi i HEC-eve të reja është një ndër veprimtaritë ku janë angazhuar mjaft fonde por kanë lindur edhe problematika në lidhje me abuzimet në mjedis. Kontrata koncesionare janë nënëshkruar edhe në sektorin e shëndetësisë me tre projektet e njohura si dështime të vendimeve publike, analiza e check-up, shërbimi i dializës dhe sterilizimi i pajisjeve.

Në sektorin e infrastrukturës, koncesionet u përqendruan gjatë mandatit të dytë të së majtës me projektin 1 miliard me 4 akset kryesore si edhe në mirëmbajtjen e rrugëve nacionale. Këto projekte do të sjellin standartizimin e rrugëve duke i mundësuar kosto më të ulta transportit.

Në ekonominë e vogël shqiptare, koncesionet kanë kontribuar edhe në mjaft sektorë të tjerë. Mund të përmendim koncesionet në miniera ku sipërmarrësit shqiptar kanë arritur të adoptojnë struktura të reja të prodhimit dhe të përpunimit. Tashmë industria e minierave ka hyrë në një fazë tjetër në Shqipëri ku po bëhen përpjekje për nxitjen e përpunimit të mineraleve. Në këtë kuadër Shqipëria po plotëson një nevojë që sjell më pak varësi nga eksporti i lëndës bruto dhe sjell rritje të vlerës së shtuar.

Në infrastrukturën ajrore, koncesioni i Rinasit ka sjellë modernizimin e aeroportit të vetëm në Shqipëri deri më sot dhe ka kontribuar në aplikimin e tarifës së përdorimit të autostradës ajrore shqiptare. Gjithashtu nga madhësia në rritje e tregut si edhe nga kërkesat e specifikuara, aeroporti ka sjellë nevojën e konkurrencës duke i hapur rrugë edhe dy projekteve të reja në Kukës dhe në Vlorë të cilët do të sjellin zhvillime për turizmin dhe zhvillimin rajonal të këtyre zonave.

Kështu në një kontekst të përgjithshëm partneritetet publike private kanë mundësuar materializimin e mjaft projekteve jetike në ekonomi. Por megjithatë ka mjaft për të përmirësuar. Pengesa e konkurrencës në marrjen e koncesionit si edhe krijimi i monopoleve në shërbime të ndryshme ka bërë që këto kontrata të konsiderohen si abuzuese nga publiku.

Përafrimi me legjislacionin europian do të kërkojë që Shqipëria të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rajonal. Angazhimi i fondeve publike në mbështetje të projekteve së bashku me ekonomitë e shkallës të kompanive private do të aktivizonte potenciale mjaft të mëdha për vendin.

Duhet të këmi parasysh se teoria e avantazheve krahasuese, prej së cilës rrjedh pyetja se përsë Shqipëria nuk është e zhvilluar edhe pse ka kaq shumë burime natyrore, nuk ka vlerë akademike por vetëm historike.

Koncepti i sotëm lidhet me avantazhet konkurruese ose me kapacitetet njerëzore të një vendi për të menaxhuar dhe vënë në funksion të ekonomisë këto burime. Kështu dija dhe rritja e profesionalitetit janë strategjitë që duhet të ndjekë qeveria për një periudhë afatgjatë kohe. Përmirësimi i burimeve njerëzore është e vetmja pikë ku duhet të përqendrohen politikat më ambicioze ekonomike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here