• Normat e interesit për depozitat 12 mujore janë rreth 0,6%
  • Norma e inflacionit prej 2% sjell një normë reale të depozitave negative prej -1,4%
  • Fitimet e sektorit bankar janë të qëndrueshme
  • Diferenca midis normës së kredisë dhe normës së depozitës është rreth 5,8% e cila reflekton mungesën e konkurrencës në këtë treg

Sistemi bankar shqiptar gjendet në një situatë të kënaqshme përsa i përket komentimit të statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Gjatë 9 mujorit të fundit fitimi bankar arriti në 114 milion euro ose rreth 14,3 miliard lek. Gjatë muajit shtator fitimi është rritur me 1,1 miliard lek.

Megjithëse këto fitime janë rreth 15% më të ulta në krahasim me një vit më parë, performanca e sektorit bankar duket e kënaqshme referuar stabilitetit të ROE ose kthimit nga kapitali i cili qëndron në nivelet 13%, një vlerë që është tërheqëse për mjaft investitorë.

Këto shifra i korrespondojnë bankave më të mëdha në vend të cilat zotërojnë pjesën më të madhe të tregut. Referuar dinamikës së zhvillimeve të sektorit bankar kohët e fundit do të vëmë re reduktim të numrit të bankave tregtare nga 16 në 14, me përthithjen e Veneto bank tek Intesa Sao Paolo dhe NBG bank tek ABI bank. Këto operacione jo të shpeshta në tregun shqiptar kanë konsoliduar bankat më të fuqishme në vend duke siguruar një ekonomi shkalle të favorshme.

Nga raporti i Bankës së Shqipërisë konstatohet se ruajtja e fitimeve të sektorit bankar ka ardhur kryesisht edhe nga rënia e kredive me probleme. Raporti tregon se niveli i këtyre kredive ndaj totalit të kredive qëndron në 12,9%, niveli më i ulët që prej vitit 2010.
Kreditë bankare menaxhohen nga një sektor më vete i cili kategorizon 5 lloje kredish.

Metodologjia që përdoret për klasifikimin e kredive merr parasysh kryesisht vonesat në pagesat e kredive. Kështu kreditë standarte do të hyjnë të gjitha kreditë vonesat e pagesës se kësteve nuk zgjat më tepër se 30 ditë. Kreditë në ndjekje janë grupi i dytë ku bëjnë pjesë kreditë, pagesat e të cilës vonojnë nga 31 ditë deri në 90 ditë. Këto dy grupe përbëjnë pjesën më të madhe dhe konsiderohen të sigurta. Ndërsa kreditë nënstandarte, të dyshimta dhe të humbura janë ato kredi, pagesat e të cilave vonojnë nga 91 ditë deri në më tepër se një vit dhe klasifikohen si kredi të këqija.

Sistemi bankar karakterizohet nga struktura të shëndosha mbikqyrjeje e për rrjedhojë këto kredi kanë qenë fokusi kryesor i menaxhimit bankar.

Kështu sistemi bankar është në nivele të kënaqshme të rentabilitetit dhe menaxhimi i riskut ka kontribuar në rritjen e fitimeve.

Po nga ana e qytetarëve sa eficent është sektori bankar ?

Burimet e financimit të një banke janë padyshim kapitali i aksionerëve por pjesa më e madhe sigurohet nga mbledhja e depozitave. Në muajin shtator stoku total i depozitave bankare arriti në 985,5 miliard lek. Nga operacionet e viteve të fundit me qëllim krijimin e lehtësirave për bizneset, Banka Qendrore uli normat e interesit në minimumin e mundshëm prej 1%. Kjo bëri që bankat të kenë mundësi për të marrë fonde me kosto më të lirë nga BSH e për rrjedhojë të reduktojnë koston e huamarrjes nga bizneset.

Në fakt përsa i përket depozituesve në sistemin bankar, norma e interesit që përfitohet për depozitat 12 mujore është më e vogël se 1%, duke dekurajuar depozitimin e parave në banka. Nga viti 2014 deri më sot kursimet e individëve janë reduktuar me afro 1 miliard euro. Nëse e konsiderojmë normën e interesit që përfitohet nga depozitat 12 mujore prej 1%, dhe po të llogarisim dhe nivelin e inflacionit prej 2% atëherë norma reale e interesit do të rezultojë negative prej -1%. Nëse inflacioni i afrohet objektivit prej 3% atëherë norma reale e interesit për depozitat do të shkojë në -2%. Kjo nënkupton se paratë e shqiptarëve në depozita, ҫdo vit humbasin vlerë nga efekti i inflacionit. Kjo bën që këto para të mos quhen kursime në kuptimin tradicional.

Nga ana tjetër, ulja e normave të interesit për kreditë nuk ka qenë aq drastike sa depozitat. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesi mesatar i huasë në lekë në muajin shtator ishte 6.43%, nga 8% që ishte gati tre vjet më parë. Nëse krahasojmë normën mesatare prej 6,4% të kredisë me normën mesatare të depozitave prej 0,6% që është aktualisht, do të rezultojë një diferencë prej 5,8% e cila llogaritet si fitimi i bankave nga ky diferencim i normave të interesit. Në vende të zhvilluara kjo diferencë është më e vogël dhe pasqyron konkurrencën përfekte në tregun bankar. Në Shqipëri, diferenca e madhe mes normave të depozitave dhe kredive përbën një defekt të tregut dhe konkurrencës, nga ana tjetër norma reale negative e interesit për depozituesit tregon papërgjegjshmërinë e sektorit bankar për kursimet e individëve të cilët do të vijnë e zhvlerësohen me kohën.

Kështu më tepër se kurrë ka ardhur nevoja që individët të orientojnë kursimet e tyre drejt burimeve më fitimprurëse. Përsa i përket titujve qeveritarë, këto instrumenta nuk munden të përmbushin kërkesat e të gjithë depozituesve. Fondet e investimeve të ofruara nga grupet e investimit të bankave të ndryshme janë një produkt i ri i cili ka orientuar mjaft fonde. Bursa shqiptare e titujve është në fazat embrionale të zhvillimit të saj dhe në një të ardhme mund të jetë një mundësi për zhvendosjen e këtyre fondeve nga depozitat bankare tek titujt e ndryshëm që mund të tregtohen në bursë. Por në përgjithësi individët janë të prirur të pranojnë një zhvlerësim vjetor prej 2% të pasurisë së tyre në këmbim të sigurisë që ofron banka.

Sistemi bankar është i konsoliduar përsa i përket fitimeve të kënaqshme dhe normave të mëdha të spredit (diferenca e normave të kredive me depozitat). Megjithatë një nga misionet e bankës për të ruajtur kursimet e individëve e për t’i siguruar vlerën në kohë të parasë duket se ka dështuar. Bankat po rendin drejt fitimeve dhe drejt politikave menaxhuese të rrezikut duke mos e konsideruar efektin e inflacionit tek depozitat. Kjo ndodh për shkak se sektori bankar është në kushte të oligopolit dhe momentalisht nuk ka asnjë konkurent të nivelit të saj.

Me zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri, do të lindin alternativa të reja kursimi dhe sektori bankar do të detyrohet të ristrukturojë aktivitetin ose përndryshe tregu financiar do të sjellë kanibalizimin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here