Deri dje ishte një projekt i përfolur, ndërsa tashmë do të bëhet realitet. Bëhet fjalë për koncesionin e “kontrollit të pompave” në stacionet e karburanteve. Ka qenë Komisioni i Prokurimeve Publike ai i cili i ka hapur rrugën këtij koncesioni kaq të shumëpërfolur. Përmes një vendimi të beftë, Komisioni i Prokurimeve ka lejuar Ministrinë e Financave të zhvillojë tenderin që ia kalon privatit këtë shërbim, i cili aktualisht kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë.

Si fillim propozimi për një koncesion të tillë  për kontrollin e pompave të karburanteve ka lindur në vitin 2016, si propozim i pakërkuar nga një kompani shqiptare e quajtur “Noa Control”. Për dy vite, propozimi mbeti në sirtarët e Ministrisë së Ekonomisë, por çuditërisht, vitin e kaluar ai u riaktivizua në mënyrë të beftë. Në muajin qershor, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, ku jo vetëm pranoi propozimin e “Noa Control” për koncesionin, por edhe e shpërbleu këtë kompani me bonus sa 10 për qind të pikëve në tender. Pas këtij vendimi, Ministria e Financave caktoi menjëherë tenderin, duke lënë si afat tetorin e vitit të kaluar.

Për shkak të kësaj procedure, pak ditë para tenderit, një kompani zvicerane e ankimoi procesin në Komisionin e Prokurimit Publik. Në ankesën e detajuar, kompania argumentonte se koncesioni ishte në kundërshtim flagrant me ligjin, ndërsa kriteret e vendosura nga Ministria e Financave në tender kufizonin garën, duke paracaktuar si fituese kompaninë “Noa Control”. Por Komisioni vendosi ta rrëzojë atë, duke i hapur rrugë koncesionit të radhës, i cili për 20 vitet e ardhshme devijon 60 milionë euro, nga buxheti i shtetit te llogaria e një kompanie private.

Koncesioni i pompave është taksa e tretë private, që qeveria u ngarkon qytetarëve te çmimi i naftës. Dy të parat janë “tarifa e markimit” dhe ajo e “skanimit”, parà të cilat paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës, por në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit, janë devijuar në llogari private përmes koncesioneve, që lindin si oferta të pakërkuara dhe me procedura të kontestuara.

Kështu, qeveria, pavarësisht shqetësimeve nga zërat në vend, por sidomos ata ndërkombëtarë, vazhdon me dhënien e koncesioneve të reja, për më tepër kur zhvillimi i tyre bëhet në mënyra të dyshimta dhe me oferta të pakërkuara, duke lejuar që paratë publike të shkojnë për kompani private.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here