• Qeveritarët e komentojnë rritjen e prodhimit si sukses të politikave të tyre
  • Rritja e prodhimit mund të shoqërohet me kosto mjedisore e sociale 
  • Rritja ekonomike dhe zhvillimi nuk janë koncepte të njëjta

Rritja ekonomike e Shqipërsië ka qenë e lidhur me ciklet e biznesit dhe përgjatë periudhës së tranzicionit nuk ka patur një karakter të qëndrueshëm.

Rritja ekonomike është një indikator që mat ndryshimin e prodhimit pas ҫdo viti, si shumë e konsumit, investimeve, shpenzimeve publike dhe eksporteve duke zbritur importet. Për vitin 2018 rritja ekonomike u konsiderua rreth 4% duke u vlerësuar nga financat se ajo do të rritet më tej më 4,5% për vitin 2019.

Duke qenë një indikator i përdorur ndërkombëtarisht, ministria financave mbivlerëson këtë tregues duke komentuar si sukses të arritjeve të saj, të këtyre shifrave në përqindje që pjesa më e madhe e popullsisë nuk e di se nga vjen.

Faktikisht vitet e fundit rritja ekonomike është mbështetur nga influenca e dy projekteve më të mëdhaja si TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.

Dy projektet e mëdha të investimeve Gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë qenë lokomotiva e rritjes ekonomike gjatë periudhës 2015-2018. Ato dhanë kontribut të lartë në rritjen e vlerës së investimeve direkte, por patën ndikime modeste në punësim.
Fondi Monetar Ndërkombëtar duke analizuar efektin e këtyre investimeve në rritjen ekonomike referon se, ndikimi i drejtpërdrejtë në rritje nga dy projektet vlerësohet të ketë qenë 0.4 pikë përqindjeje për 2015-16. Projektet kërkojnë mbështetje me shërbime si në ndërtim dhe transport. Kështu vlera e shtuar nga shërbimet mbështetës (efekti i nivelit ndaj PBB-së) ishte 0.8-1.2 për qind e PBB-së në vitet 2015-16.

Investimet në këto dy projekte janë sa 14 për qind e PBB-së rreth 1.5 miliardë euro. Investimet në projektin TAP janë rreth 1 miliardë euro në HEC-et e lumit Devoll pak më shumë se 500 milionë euro. Të dy projektet punësojnë 3500 persona.
Me përfundimin e projekteve, rritja ekonomike pritet të tkurret nëse mungojnë investime të reja.

Por a e zhvillon realisht vendin një rritje ekonomike ? Ekonomistët përdorin shprehjen ‘rritje ekonomike varfëruese’ për të nënkuptuar se thjesht komentimi i rritjes në përqindje të prodhimit nuk përkthehet domosdo në një zhvillim më të madh të vendit në përgjithësi.

Rritja ekonomike varfëruese është një koncept shqetësues për ekonomitë e vogla, pasi pasojat që mund të sjellë një rritje ekonomike sasiore e prodhimit mund të jenë mjaft negative për një pjesë të shoqërisë dhe të pamundura për t’u kthyer prapa.
Është përcaktuar nga organizatat ndërkombëtare, se rritja ekonomike që të sjellë zhvillimin, duhet të shoqërohet me rritje të kushteve sociale dhe me rritje të mbrojtjes së mjedisit.

Nëse marrim rastin e fabrikës së ҫimentos në Fushë Krujë, ajo përbën një rast tipik të kontribuesit në rritjen ekonomike varfëruese. Edhe pse prodhimi i ҫimentos mund të pësojë rritje vit pas viti, vlera e shtuar nga ky aktivitet mund të përfshihet në Produktin e brendshëm bruto, por efekti në mjedis jo. Sikur të mos mjaftonte ndotja që shkakton në këtë zonë, fabrika e çimentos dhe gurorët, ka dhe disa vatra të furrave të gëlqeres, që lëshojnë të pakursyer në ajër shtëllunga të zeza tymi, duke çliruar në ajër dy helme të rrezikshme, dioksinë dhe furanë.

Ky fenomen ka sjellë një nivel të lartë të ndotjes në Fushë Krujë. Ndonëse banorët kanë denoncuar veprimtarinë dhe publikisht është konsideruar si e jashtëligjshme, institucionet akoma nuk kanë marrë një inisiativë të vërtëtë për zgjidhjen e problemit. Aktualisht ministria e mjedisit, në pamundësi për të disponuar të dhëna për nivelet alarmante të ndotjes, sheh si zgjidhje dhënien e lejeve minerare për guroret të paktën 1 kilometër larg nga zonat e banuara.

Pra rritja ekonomike nuk përbën suksesin e politikave të ministrisë së financave. Ajo shpreh ndryshimin e volumit të prodhimit ndër vite, të axhustuar me nivelin e inflacionit. Zhvillimi i vërtetë kërkon harmonizimin e rritjes ekonomike me zhvillimin social dhe mbrojtjen e mjedisit. Kështu një qeveri duhet t’i kushtojë më tepër vëmendie indikatorëve të tjerë si psh ai i zhvillimit njerëzor që mat ecurinë e sektorëve të arsimit të shëndetësisë etj, indikatori i varfërisë që përcakton thellësinë e saj, ashpërsinë dhe shpërndarjen e të varfërve. Gjithashtu një qeveri duhet të shqetësohet më tepër për nivelin e pabarazive sociale nëpërmjet shpërndarjes së pasurisë si edhe nivelin e pabarazive territoriale në raport me zhvillimin e plotë.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here