Arben Shkodra, përfaqësues i Shoqatës së Prodhuesve, ka mbajtur qëndrim kundrejt sulmeve të politikës ndaj sistemit bankar. Sipas tij, këto sulme cenojnë qëndrueshmërinë e bankave dhe dëmtojnë sipërmarrjet e vendit, sidomos bizneset e vogla dhe të mesme (SME).

Më konkretisht ai tha: “Sektori bankar nuk është pa mëkate, ka gabime dhe faje, por, në këtë rast politika është shtrirë përtej kompetencave të veta për ta kthyer këtë situatë në favor të vet. Ne jemi një vend pa kulturë financiare, mungesa e kësaj kulture bën që të besojmë çdo gjë që thuhet.”

“Caku kapërcehet kur përmendim dhe emra, që mbeten qytetarë të këtij vendi dhe deri në provën e fundit nuk duhet të akuzohen publikisht. Në rast shkeljesh, le të ngrihen hetimet dhe të ketë denoncime me fakte. Nuk jemi më në vitet 2000, mund të gjenden faktet lehtësisht. Politikës duhet t’i themi stop. Nuk duhet të merret me këto gjëra sepse dëmton ekonominë.”

Këto sulme ai i ka cilësuar si flluska që do shfryhen sapo politika të gjejë diçka tjetër për t’u marrë. Por ama, kanë dëmtuar sistemin bankar.

Mbi efektin që kanë këto sulme tek sipërmarrësit, Arben Shkodra ka thënë se sipërmarrjet në vend e kanë të vështirë të marrin financim nga bankat, të cilat vitet e fundit janë bërë shumë të kujdesshme. Këta sipërmarrës dëgjojnë lajme të tilla për një bankë me të cilën kanë ose mund të kenë marrëdhënie dhe kjo i ndikon duke i bërë më të pasigurt. Nga ana tjetër, banka ndihet e kërcënuar, bëhet edhe më shumë e tërhequr, fillon dhe merr masa të tjera në lidhje me mënyrën si të ekspozohet në treg dhe natyrisht këtë gjë do e vuajë dhe sipërmarrësi. Sidomos SME të cilat kanë probleme dhe vështirësi për të marrë financim nga një bankë. “Nuk mund të hedhim vetëm shashka por duhet t’i provojmë gjërat”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here