Për periudhën Janar-Tetor 2018 janë mbledhur rreth 370.005 miliardë lekë të ardhura, përkundrejt shpenzimeve të përgjithshme prej 368.555 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe përfshin 318.437 miliardë lekë në shpenzime korrente dhe rreth 49.9 miliardë lekë në shpenzime kapitale, nga të cilat rreth 39% janë financime të huaja.

Nga të ardhurat gjithsej, pjesa e të ardhurave të mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Doganave është rreth 250.9 miliardë lekë (ose rreth 98% e planit të periudhës). Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor rreth 17.3 miliardë lekë (ose rreth 107% e planit të periudhës). Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 77.2 miliardë lekë (ose rreth 100% e planit të periudhës) dhe të ardhurat jo-tatimore në nivelin 19.0 miliardë lekë (ose rreth 90% e planit për periudhën Janar-Tetor 2018). Pra, të ardhurat tatimore ishin 346.617 miliardë lekë dhe të ardhurat jo-tatimore ishin rreth 19.007 miliardë lekë.

Vetëm për muajin tetor 2018, të ardhurat e buxhetit të shtetit nga tatimet janë rritur, krahasuar me tetorin 2017. Të ardhurat nga TVSH janë rritur me 10.9%; të ardhurat nga akcizat janë rritur me 8.8%; të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë rritur me 41.4%; të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) janë rritur me 21.5%, dhe të ardhurat nga taksat nacionale janë rritur me 11.1%. Vetëm të ardhurat nga taksat doganore janë ulur me -4.2%.

Këto rritje vijnë si pasojë e rritjes së nivelit të taksave. Shqipëria mbetet vendi me barrën më të lartë të taksave në rajon së bashku me Serbinë, por që nuk arrin ta justifikojë atë me të ardhura. Vendi nuk ka arritur asnjëherë të ketë të ardhura më të larta se 28% të PBB-së, duke u renditur i fundit në rajon dhe ndër nivelet më të ulëta të Evropës.

Ndërsa Serbia, me barrë të taksave të ngjashme me ne, është shteti që arrin të mbledhë të ardhura rekord në rajon, në nivelin e 41.8% të PBB-së të pritshme për 2019-n, sipas raportimeve zyrtare të Ministrisë së Financave në programin ekonomik të reformave 2018-2020. Mali i Zi pritet të mbledhë 40.1% të PBB-së në projektbuxhetin e vitit 2019. Maqedonia ka një rendiment fiskal prej 29% të PBB-së, që ka ardhur në rënie vitet e fundit, si rrjedhojë e taksës së sheshtë.

Nga totali i shpenzimeve korrente prej 318.4 miliardë lekë, 60.8 miliardë lekë (19% e totalit të shpenzimeve korrente) është shpenzuar për personelin, rreth 29.7 miliardë lekë (9%) për shpenzime interesi, 32.9 miliardë lekë (10%) për shpenzime operative dhe mirëmbajtje, 752 milionë lekë (0.2%) për subvencione, 132.7 miliardë lekë (42%) për shpenzimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe 42.6 miliardë lekë (13%) për shpenzimet e qeverisjes vendore, 16.6 miliardë lekë (5%) për shpenzimet e tjera. Këto përfaqësojnë 70% (shpenzime personeli), 56% (shpenzime për interesat), 62% (shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes), 29% (subvencione), 72% (sigurimet shoqërore dhe shëndetësore), 83% (për shpenzimet e qeverisjes vendore) dhe 66% (shpenzimet e tjera) përkundrejt planifikimit të tyre vjetor.

Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm për këtë periudhë ishin 55%, ndërsa financimi i huaj është 61% e planifikimit të tyre vjetor.

Suficiti prej 1.4 milionë lekë gjatë periudhës Janar-Tetor 2018, u përdor kryesisht për huamarrjen e brendshme, si mjeti kryesor i financimit të brendshëm dhe për huanë afatgjatë të huaj. Për muajin Tetor 2018, disa nga treguesit kryesor fiskalë ishin:

  • Realizimi i të ardhurave në masën 40.783 miliardë lekë,
  • Realizimi i shpenzimeve në masën 42.567 miliardë lekë.

Në realizimin e të ardhurave për muajin Tetor 2018, kontributin kryesor e kanë dhënë të ardhurat e mbledhura nga tatimet, të cilat arrijnë shifrën e 37.3 miliardë lekë. Në realizimin e shpenzimeve për këtë periudhë, peshën me të lartë e zënë shpenzimet korrente me 36.9 miliardë lekë dhe shpenzimet kapitale me rreth 5.4 miliardë lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here